23.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Sa vlen jeta në Shqipëri?

    Nga Namir Lapardhaja

    Aksidenti i një dite më parë në Berat, ku një i ri përplasi me motor një turiste të huaj, është tregues i mungesës së sigurisë së jetës në qytetet tona. Një ditë para kësaj ngjarjeje, një tjetër i ri, në të njëjtën rrugë, bënte xhiro me motor, duke bërë shfaqje dhe duke ecur me rrotë në ajër. Skena të tilla në Berat janë të përditshme, duke treguar paaftësinë e shtetit për të pasur kontroll të plotë dhe të barabartë mbi shkelësit ligjor.

    Policia ‘nuk është’ asnjëherë në vendin e duhur në raste të tilla, por është gjithmonë ‘aty’ kur bëhet fjalë për të gjobitur qytetarët e thjeshtë për parkim të gabuar. Segmenti në të cilin ka ndodhur aksidenti, paraqet një rrezikshmëri të lartë për të gjithë qytetarët beratas, për shkak të rrugës së ngushtë, trotuarëve që nuk i përgjigjen volumit të këmbësorëve dhe shpejtësisë që, pavarësisht se nuk lejohet më shumë se 30-40km, tejkalohet nga shkelësit. Shpeshherë aty shohim gara dhe parakalime të rrezikshme, ndërsa policia është e pafuqishme për shkak të lidhjeve politike të këtyre personazheve.

    Kam parë shumë komente dje dhe sot, që i kërkonin llograri turistes së plagosur rëndë që të kalonte në vijat e bardha. Më shumë se sa cinike, një kërkesë e tillë është dashakeqëse. Pak muaj më parë, një çift të huajsh u dhunua nga një prej horrave që qarkullojnë lirshëm rrugëve të qytetit vetëm se ishin duke kaluar të shkujdesur te vijat e bardha, ndërsa ai u bezdis duke pritur që ata të kalojnë shpejt dhe u ndie i “fyer” kur turistët i treguan se ishin duke kaluar aty ku ka përparësi kalimtari dhe jo automjeti.

    Çështja e aksidenteve të kësaj natyre nuk është problem i vijave të bardha, por tregon papërgjeshshmërinë e madhe për respektimin e sinjalistikave rrugore, kryesisht shpejtësisë, tregon paaftësinë dhe kapjen e shtetit, i cili i shtrëngon dhëmbët të dobtëve, por është i paaftë dhe në bashkëpunim me të fortët, ashtu sikurse tregon se sa pak vlen jeta rrugëve të qyteteve të Shqipërisë.

    Ajo rrugë është jashtëzakonisht e populluar, sidomos gjatë verës dhe, duke parë mënyrën se si ecin disa personazhe të njohur në qytet, aty mund të ndodhin përditë tragjedi me përmasa edhe më të mëdha.

    Përveçse masave të rrepta që duhen marrë, ka nevojë edhe për një sensibilizim qytetar, sepse aty mund të ishte kushdo prej nesh apo prej familjarëve tanë që kalojnë përditë në atë rrugë përballë ekspozimit të rrezikut nga njerëzit e papërgjegjshëm dhe nga një shtet që është i paaftë të kujdeset për qytetarët e tij.

    Aksidenti me protagonist një vizitore të huaj njëkohësisht është një njollë turpi për turizmin, i cili mbijeton me vështirësi si pasojë e vetes dhe e mundit të vet, ndërsa autoritetet qendrore dhe vendore, pavarësisht se mburrem mëngjes dhe mbrëmje, nuk luajnë asnjë rol në përmirësimin dhe shtimin e tij. Rendi dhe siguria duhet të ishin të parat të garantuara që një shtet që mburret me 10 milionë turistë në vit, por është i paaftë të bëjë zap një qytet me vetëm një rrugë kryesore, ku njihen të gjithë dhe dihen ata që janë problematikë në thyerjen e rregullave të qarkullimit rrugor.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit