Prokuroria e Posaçme njoftoi dje se kishte përfunduar hetimet dhe kishte dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, disa ish-drejtuesve të lartë të ARRSH-së dhe sipërmarrëses Entela Çano.
Nga kryerja e veprimeve hetimore, provat e administruara rezultuan fakte penale për personat përgjegjës të autoritetit kontraktor dhe institucionet e tjera shtetërore, ndërvepruese në disa procedura prokurimi, të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Kolonjë.
SPAK ka tre fakte penale që lidhen me tre procedura të ndryshme prokurimi, por njëra është veçanërisht e njohur për shkak të bujës që shkaktoi në media, kur një pjesë e rrugës Korçë-Ersekë u rrëzua ende pa u inaguruar.
1. Në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i rrugës Korçë Ersekë, Loti 2 (pjesa parë)”, me fond limit 2,879,999,858.89 (dy miliardë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë milion e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e e tëtë pikë tetëdhjetë e nëntë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 24.09.2020, ka rezultuar se:
Në lidhje me projektin e paraqitur si nismë e Bashkisë Kolonjë, në kuadër të procedurës së ndjekur për “Shërbim projektimi në formë dhurimi/donacioni” me objekt “Ndërtim rruga Korçë–Ersekë, Loti 2”, nga veprimet hetimore dhe provat e administruara është konstatuar se Bashkia Kolonjë nuk ka disponuar dokumentacion projektues të përgatitur prej saj për këtë objekt, ndonëse ekzistojnë korrespondenca zyrtare me Autoritetin Rrugor Shqiptar në të cilat paraqitet e kundërta.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga eskpertimi grafik i shkrimit dhe nënshkrimit të dokumentit, ka rezultuar se grupi i punës së Bashkisë Kolonjë, i përbërë nga shtetasit Erjon Cenko, Engjëll Dine, në bashkëpunim me personin që ka dhuruar projektin, shtetasen Entela Çano, administratore e shoqërise “A& E Enginieering”sh.p.k, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit nga Bashkia Kolonjë, ndërkohë që rezulton se nuk ka pasur projekt.
Sa i takon, përcaktimit të fondit limit për procedurën e prokurimit, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor dhe personave të tjerë përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, nuk rezulton të jetë ndjekur rruga ligjore për përcaktimin e fondit limit.
Në kohën e hartimit të preventivit përfundimtar, të përgatitur nga ana e shtetasve Erald Elezi, Genti Raça, Donikë Shehu, dokument i miratuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasi Ergys Verdho, nuk rezulton të ketë pasur projekt të hartuar dhe propozuar nga Bashkia Kolonjë, siç është paraqitur si dokumentacion i formalizuar nga Bashkia Kolonjë.
Përcaktimi i fondit limit nga ana e grupit të punës, personat përgjegjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është bërë mbi bazën e të dhënave të përgatitura dhe të paraqitura dorazi nga vetë personi i interesuar, shtetësja, Entela Çano, administratorja e shoqërisë “A & E Engineering” sh.p.k, e cila që ka fituar më pas kontratën e mbikëqyrjes së zbatimit të punimeve për këtë objekt, ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë).
Në përgatitjen e preventivit që ka shërbyer edhe për përcaktimin e fondit limit të autoritetit kontraktor, nga ana e shtetasve Ergys Verdho, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe personave përgjegjës të tjerë, shtetasit Erald Elezi, Genti Raça dhe Donikë Shehu, është vepruar në kundërshtim me ligjin nr.162/2020.
Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga ekspertimi teknik vlerësues dhe kontabël, ka rezultuar se fondi i përcaktuar nga autoriteti kontraktor për këtë procedurë prokurimi është fryrë në vlerën 590,213,874(pesëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë, që përbën edhe dëm ekonomik të shkaktuar shtetit.
Një telefon i sekuestruar gjatë hetimeve nga prokurori Dritan Prenci ka nxjerrë në dritë biseda në aplikacionin WhatsApp mes kryebashkiakut Erion Isai dhe Entela Çano, administratore e kompanisë fituese të tenderëve, “A&E Engineering” sh.p.k.
Dy faktet e tjera penale lidhen me procedura e prokurimit me objekt: “Supervizim i punimeve për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)”, me fond limit 22,704,145 (njëzet e dy milion e shtatëqind e katër mijë e njëqind e dyzet e pesë) lekë me tvsh, zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe procedura e prokurimit me objekt: “Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”, me fond limit 4,623,021.7 lekë me tvsh, zhvilluar nga Bashkia Kolonjë.
Përsa i përket procedurës së tretë, Erion Isai dhe biznesmenia pronare e kompanisë “A&E Engineering” sh.p.k., Entela Çano bisedojmë për të qepur kriteret e projektit, që më pas e ka fituar vetë Entela Çano.
Përmbajtja e bisedave të datës 01.07.2020:
10:05 – Erion Isai i shkruan Entela Çanos: “Mirëmëngjes. Shifi pak këto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuaj Entelës. Vetëm rrjeti i jashtëm deri depo fi 250 në 20 bar është 18 755 ml x 6793 lekë = 127 402 715 pa tush, kurse pesari fi 200 me gjatësi 1 880 x 4747 lekë = 8 924 360 lekë.”
10:06 – Entela Çano: “Mirëmëngjes… ok… më dërgo. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe ne… reduktim parametrash.”
10:08 – Erion Isai: “Sa më shpejt pls.”
10:09 – Entela Çano: “Ok… pa merak.”
14:57 – Erion Isai: “Më duhet deri të premten. Më duhet lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat, vëlla. Një zjarr të lutem.”
15:00 – Entela Çano: “Pa merak. Do bëj të pamundurën që të premten t’i dorëzojmë.”
15:01 – Erion Isai: “Je yll s’o dooa.”
21:22 – Erion Isai: “Kemi gati ndonjë preventiv të ndonjë fshati?”
21:24 – Entela Çano: “Nesër paradite mendoj se mund të kemi diçka. Po sforcohemi shumë për të arritur vlerën… 230 me TVSH. Jam e saktë? Ma konfirmo të lutem.”
21:24 – Erion Isai: “330 është max.”
21:25 – Entela Çano: “Shyqyr.”
21:28 – Erion Isai: “Pls zjarrrrr. Se nesër duhet me i printu. Vulos këtu te ue. Të premten në mëngjes herët duhen dorëzu.”
21:29 – Entela Çano: “Do bëj më të mirën e mundshme… por jam sforcuar shumë për të kapur vlerën.”
21:29 – Erion Isai: “Ishte teeeeper e lartë. As bëhej fjalë.”
21:30 – Entela Çano: “Me 5 aspra tha do verë të mirë miku: shprehje gjermane.”



