Shqipëria ka marrë sinjal pozitiv në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Brukseli konfirmon zyrtarisht se drafti i qëndrimit të përbashkët të BE-së (EUCP), bazuar në raportin IBAR, është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim nga shtetet anëtare.
“Drafti i qëndrimit të përbashkët të përkohshëm të BE-së (EUCP, bazuar në IBAR) sapo është miratuar në COELA pa asnjë kundërshtim të mëtejshëm nga shtetet anëtare.
Hapi i radhës është kalimi i tij nesër pasdite për miratim tek ambasadorët e BE-së në COREPER, përpara se Konferenca Ndërqeveritare (IGC) të konfirmohet zyrtarisht”, thuhet në përgjigjen e Këshillit të Bashkimit Europian për gazetaren e A2 CNN Fjorela Beleshi.
Pas këtij miratimi, do të konfirmohet zyrtarisht mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian më 26 maj.
“Ne takimin e sotëm, të gjitha vendet kanë dhënë dritën jeshile për të vijuar me miratimin e IBAR-it dhe kalimin e dosjes në Coreper II, i cili sanksionon formalisht mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare më 26 maj”, raportoi Beleshi



