spot_img
spot_img

Shqipëria po bëhet gati për të dërguar trupa në Gazë

spot_img

Shqipëria po përgatitet për t’u angazhuar në Rripin e Gazës. Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi tha në një konferencë për mediat në Tiranë se një skuadër shqiptare ka parë situatën në terren.

“Në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza. Rripi i Gazës është nën sigurinë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit [IDF] dhe çdo lloj inspektimi trupash atje bëhet përmes Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese dhe ushtrisë izraelite. Kemi dërguar një skuadër për të parë nga afër vendndodhjen dhe situatën në terren, që të kuptojmë se ku dhe si mund të vendosemi”, u shpreh ai.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i Donald Trump.

Nufi bëri të ditur se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka përgatitur planin konkret që pritet të zhvillohet në disa nivele dhe faza sa i përket angazhimit të Shqipërisë në Gazë, por nuk zbuloi më shumë rreth tij.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji, tha se aktualisht Shqipëria është në fazën e procedimit dhe hartimit të praktikës dhe dokumenteve ligjore për dërgimin e trupave në mision.

“Shtabi i Përgjithshëm po bën vlerësimin e saktë në lidhje me misionin, detyrat, sigurinë e personelit, rregullat e angazhimit dhe mbështetjen logjistike. Kontingjenti i parë shqiptar që mund të dislokohet në Gazë do të jetë pjesë e shtabit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, ndërsa më pas do të shqyrtohet mundësia e një kontributi më të gjerë me trupa”, u shpreh Kingji.

Në fillim të majit u bë e ditur se një ekip ushtarësh të Kosovës është dërguar në Gazë, për të bërë vlerësimin e vendit ku do të veprojë si pjesë e misionit paqeruajtës.

Lajmet e fundit