Shqipëria ka hedhur një tjetër hap në modernizimin e Forcave të Armatosura me inaugurimin e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, një projekt që synon të krijojë kapacitete kombëtare për përgatitjen e pilotëve dhe kontrollorëve të fluturimit sipas metodologjisë së aleatëve të NATO-s.
Në ceremoninë e inaugurimit, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi hapjen e shkollës si “një gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcës Ajrore” dhe “krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare”.
“Sot shënojmë krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, që lidhet me një nga elementët më të rëndësishëm të fuqisë sonë mbrojtëse: kapacitetet njerëzore”, deklaroi Nufi.
Sipas tij, shkolla ndërthur kapitalin njerëzor, teknologjinë moderne dhe standardet ndërkombëtare, duke krijuar kushtet që pilotët, kontrollorët e fluturimit dhe personeli ajror të përgatiten sipas metodologjive më të avancuara të vendeve aleate.
Ministri bëri të ditur se programi i trajnimit do të mbështetet fillimisht nga dy helikopterë të rinj Bell 505, të cilët do të shërbejnë si platforma moderne për formimin e pilotëve të ardhshëm.
“Kjo shkollë mishëron vizionin e qeverisë shqiptare për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, tha ai, duke shtuar se kursantët e parë “janë pjesë e një misioni të madh për të ndërtuar traditën moderne të aviacionit shqiptar”, tha ai.
Nga ana e tij, kryeministri Rama e cilësoi projektin një investim strategjik në të ardhmen e mbrojtjes së vendit dhe tha se ai u prit fillimisht “me humor dhe përqeshje”, por sot është bërë realitet.
Rama falënderoi kompaninë izraelite Elbit Systems për mbështetjen në ngritjen e shkollës, duke e cilësuar atë “një prej ekselencave globale të industrisë ushtarake”, që ka sjellë në Shqipëri ekspertizën e saj në fushën e aviacionit dhe teknologjisë ushtarake.
Kryeministri theksoi se Shkolla Kombëtare e Fluturimit nuk do të shërbejë vetëm për nevojat e Shqipërisë, por synon të kthehet në një qendër rajonale trajnimi.
“Kemi një numër të konsiderueshëm të interesuarish. Shkolla është e hapur për të stërvitur dhe certifikuar pilotët e rinj të vendeve të NATO-s në rajonin tonë, duke filluar nga Kosova”, deklaroi Rama.
Ai bëri të ditur se ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të diskutojë me autoritetet e Kosovës mundësinë që pilotët e ardhshëm të trajnohen në Shqipëri, ndërsa i njëjti model bashkëpunimi synohet edhe me vende të tjera aleate të rajonit.
Rama u ndal edhe te gjendja e Forcës Ajrore, duke theksuar se, sipas tij, Shqipëria disponon tashmë një flotë ajrore plotësisht funksionale, pas investimeve të viteve të fundit në modernizimin e kapaciteteve dhe mirëmbajtjen e mjeteve fluturuese.
Hapja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit vjen në një moment kur Forca Ajrore shqiptare po kalon transformimin më të madh të dekadave të fundit.
Pas përfundimit të epokës së aviacionit luftarak, Shqipëria ka orientuar investimet drejt ndërtimit të kapaciteteve të reja, duke u fokusuar te modernizimi i bazës ajrore të Kuçovës, integrimi në strukturat e NATO-s dhe zhvillimi i teknologjive të reja, përfshirë sistemet pa pilot.
Baza e Kuçovës, e modernizuar me investime prej rreth 50 milionë eurosh, është shndërruar në një bazë ajrore të NATO-s me rëndësi strategjike për rajonin, ndërsa qeveria ka paralajmëruar zhvillimin e kapaciteteve vendase në fushën e dronëve, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.



