spot_img
spot_img

Shqiptarëve u duhen 28 mijë usd në vit për të arritur “pragun e lumturisë”, nga 10 mijë që kanë sot

spot_img

Një individ në Shqipëri do të duhej të siguronte rreth 28,000 dollarë të ardhura në vit për të arritur të ashtuquajturin “prag të lumturisë”, nivel pas të cilit rritja e mëtejshme e të ardhurave nuk sjell përmirësim domethënës të kënaqësisë nga jeta.

Sipas renditjes së publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në një analizë të Remitly, paga mesatare vjetore në Shqipëri vlerësohet në rreth 10 mijë dollarë. Kjo do të thotë se të ardhurat e një punonjësi mesatar mbulojnë vetëm 34.8% të nivelit të vlerësuar si i nevojshëm për “lumturinë”, duke lënë një diferencë prej më shumë se 18 mijë dollarësh në vit.

Në terma mujorë, pragu i llogaritur për Shqipërinë është rreth 2,316 dollarë, ndërsa paga mesatare e përdorur në renditje është afërsisht 830 dollarë në muaj.

Treguesi nuk përfaqëson shumën minimale që nevojitet për të mbuluar ushqimin, banesën dhe shpenzimet bazë. Ai mat nivelin ku, sipas studimit mbi të ardhurat dhe mirëqenien subjektive, rritja e mëtejshme e pagës nuk shoqërohet më me një përmirësim të ndjeshëm të vlerësimit që njerëzit i bëjnë jetës së tyre.

Shqipëria me pagat më të ulëta në rajon dhe Europë

Hendeku i lartë mes pagave reale dhe “çmimit të lumturisë” lidhet me nivelin e ulët të të ardhurave nga puna në Shqipëri. Sipas të dhënave të tjera INSTAT-it, Eurostat dhe OECD, të përpunuara nga “Monitor”, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte 84.1 mijë lekë në vitin 2025, ose rreth 10,300 euro në vit. Në këto nivele, Shqipëria renditej e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke përjashtuar Kosovën.

Paga mesatare vjetore bruto arrinte në rreth 15,500 euro në Serbi, afro 15 mijë euro në Bosnjë-Hercegovinë, 14,500 euro në Mal të Zi dhe 13,200 euro në Maqedoninë e Veriut. Krahasuar me Bashkimin Europian, diferenca është edhe më e madhe. Paga mesatare vjetore bruto në vendet e BE-së llogaritet në rreth 50 mijë euro, ose pothuajse pesë herë më shumë se në Shqipëri. Në Gjermani, një nga destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, paga mesatare arrin në rreth 66,700 euro në vit, më shumë se gjashtëfishi i nivelit shqiptar. Në Itali është rreth 36,600 euro dhe në Greqi 26,600 euro në vit. Këto shifra nuk janë plotësisht të njëjta me pagën prej 9,670 dollarësh që përdoret në renditjen e Visual Capitalist, pasi burimet dhe metodologjitë ndryshojnë. Renditja ndërkombëtare mbështetet te të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ndërsa krahasimi i “Monitor” përdor pagën mesatare bruto të raportuar nga INSTAT dhe institutet statistikore të vendeve të rajonit.

Çfarë mat “çmimi i lumturisë”

Përllogaritja mbështetet në një studim të Universitetit Purdue mbi marrëdhënien ndërmjet të ardhurave dhe mirëqenies subjektive. Studiuesit përcaktuan një nivel “ngopjeje të të ardhurave”, pas të cilit më shumë para nuk përmirësojnë më në mënyrë të ndjeshme vlerësimin që individët i bëjnë jetës së tyre.

Vlerat fillestare janë përshtatur sipas fuqisë blerëse dhe inflacionit në secilin vend. Pagat mesatare janë marrë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, ndërsa të dhënat janë përditësuar deri në mars 2026. Pragu nuk duhet interpretuar si një garanci se një person që fiton këtë shumë do të jetë i lumtur. Mirëqenia ndikohet gjithashtu nga shëndeti, marrëdhëniet familjare, siguria, kushtet e punës, arsimi dhe mbështetja sociale. Nga vendet e analizuara, Sllovenia ishte e vetmja ku paga mesatare rezultonte më e lartë se “çmimi i lumturisë”. Paga mesatare vjetore prej rreth 42,800 dollarësh ishte 16.3% mbi pragun e vlerësuar prej rreth 36,800 dollarësh.

Në Letoni, paga mesatare mbulonte rreth 84.7% të pragut, ndërsa në Poloni 74.5%.

Megjithatë raporti thekson se pagat e larta nuk garantojnë një hendek më të vogël. Shtetet e Bashkuara kanë pagën e tretë mesatare më të lartë në studim, prej 75,300 dollarësh në vit, por njëkohësisht kanë edhe një nga “çmimet e lumturisë” më të larta, prej 134,800 dollarësh. Si rrjedhojë, paga mesatare mbulon vetëm 55.8% të këtij pragu.

Australia ka “çmimin e lumturisë” më të lartë në renditje, në 161,300 dollarë, më shumë se dyfishi i pagës mesatare prej 59 mijë dollarësh. Me të ardhurat që mbulojnë vetëm 36.6% të pragut, vendi renditet në vendin e 39-të. Një prirje e ngjashme vërehet edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku paga mesatare mbulon 35.9% të pragut, në Kanada me 44.4% dhe në Zelandën e Re me 34%.

Megjithëse këto vende kanë paga relativisht të larta, punonjësit e tyre mbeten më larg nivelit të të ardhurave që lidhet me mirëqenien maksimale sesa punonjësit në disa ekonomi me paga më të ulëta të Europës Qendrore dhe Lindore. Ekuadori renditet i fundit mes 50 vendeve të analizuara. Paga mesatare prej 6,500 dollarësh mbulon vetëm 32.9% të “çmimit të lumturisë”, të vlerësuar në 19,700 dollarë.

Lajmet e fundit