Vasil Ruci, një prej legjendave të Flamurtarit të Vlorës që ka arritur ndër majat e futbollit shqiptar në Europë në vitet 80’ pasi i shënoi 2 gola Barcelonës, ka treguar më shumë rreth përjetimeve të këtyre momenteve.
I ftuar në emisionin “Opinion”, ai ka treguar se kur do të luanin në Barcelonë, ekipi shqiptar bëri pazar pothuajse gjithë ditën. Ai tregon ndër të tjera se për pak ditë do të martohej dhe me këtë rast, i kishte blerë gruas një freskuese.
Vasil Ruci: Barcelona e ka festë ditën e ndeshjes, kurse ne shqiptarët e kishim në mend të bënim pazar gjithë ditën.
Ndeshja ishte në 9 pa çerek, kemi shkuar në stadium në orën 7. Disa erdhën me taksi në stadium për të luajtur me Barcelonën. Dieta ishte 2 deri në 3 dollarë dita.
Ne kishim kaluar dhe disa dollarë me vete. Blemë bluza, magnetofon. E bukura është se për 3 ditë martohesha dhe i bleva gruas një freskuese. Ndeshja doli barazim. Ata u befasuan me futbollin e luajtur.