Shqiptarët vijojnë të hanë mish derri prej 20 vitesh nga Brazili, megjithëse Bashkimi Europian e ka ndaluar importin që në vitin 2006, teksa politikanët tanë, ata që duhet të ishin garant për produkte të kontrolluara, kanë mbyllur sytë, ndoshta nga lobimet e grupeve të mëdha të interesit.
Në pjesën e parë, Vox News denoncoi mosveprimet e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili nuk po nxjerr një urdhër që të ndalojë importin e mishit të gjedhit nga Brazili, pas një vendimi të Bashkimit Europian që do të ndalojë këto produkte, me arsyetimin se janë të pakontrolluara dhe brazilianët përdorin shumë antibiotikë te kafshët.
Ndërsa vëmendja kryesore lidhet me mishin e gjedhit dhe të shpendëve, informacionet që kanë mbërritur në redaksinë e Vox News, tregojnë edhe një çështje të dytë, më strukturore, që prek mishin e derrit, produkt që nuk preket drejtpërdrejt nga vendimi i ri evropian. Për dallim nga gjedhi dhe shpendët, importi i mishit të derrit nga Brazili nuk është lidhur kurrë me listimin në BE.
Në vitin 2006, Brazili nuk ishte i autorizuar të eksportonte mish derri drejt Bashkimit Evropian, kështu që Shqipëria e ka bazuar këtë import mbi një certifikatë veterinare shëndetësore të negociuar dypalësh, e ndërtuar sipas standardeve të kërkuara nga Federata Ruse, me përjashtim të shtetit brazilian Mato Grosso do Sul, nga i cili importi nuk lejohet.
Duket se problemi qëndron diku tjetër, pasi vetë modelet e certifikatave veterinare shëndetësore, të bashkëlidhura marrëveshjes teknike të vitit 2006, “nuk pasqyrojnë kërkesat aktuale” të legjislacionit evropian mbi shëndetin e kafshëve dhe shëndetin publik. Në mënyrë të veçantë, këto certifikata të vjetra nuk përmbajnë asnjë garanci lidhur me kufizimet e sotme për përdorimin e antimikrobialëve veterinarë, po ai shqetësim që solli edhe heqjen e Brazilit nga lista e BE-së për gjedhin dhe shpendët.
Kjo do të thotë se, në thelb, Shqipëria ka vazhduar për njëzet vjet të pranojë mish derri nga Brazili sipas standardeve shëndetësore të vitit 2006, pa i përditësuar ato me kërkesat bashkëkohore evropiane, edhe pse vetë rasti i gjedhit e shpendëve tregon pikërisht pse kjo lloj vjetërsie dokumentacioni mund të përbëjë rrezik.
A do hamë mish Brazili apo do shkojmë me BE-në?!
Kësaj pyetje duhet t’i japë përgjigje sa më parë ministri i Bujqësisë, Andis Salla, pasi deri më sot ende nuk ka një përgjigje publike nga Ministria e Bujqësisë se çfarë do të firmosë ministri apo nëse do të firmosë apo do ta kalojë në heshtje, duke zbatuar vendimet e para 20 viteve.
Ekspertët e fushës, të kontaktuar nga redaksia e Vox News, thonë se ministria ka para vetes dy rrugë të mundshme, që ndryshojnë rrënjësisht nga njëra-tjetra në pasojat për konsumatorin:
Skenari i parë – përafrimi me kërkesat e BE-së. “Ministria mund të vendosë të ndalojë përkohësisht ose të kushtëzojë importin e mishit të gjedhit dhe të shpendëve nga Brazili, në linjë me vendimin evropian, duke përdorur kompetencën që i njeh neni 47 i ligjit ‘për ushqimin’ për ndalim të përkohshëm importi, kur ka rrezik për shëndetin publik”.
Nëse ndiqet kjo rrugë, do të nënkuptonte gjithashtu rihartimin dhe përditësimin e certifikatave veterinare edhe për mishin e derrit, në mënyrë që edhe ky produkt të plotësojë standardet aktuale, jo ato të vitit 2006, për kufizimin e antimikrobialëve veterinarë. Kjo do të ishte zgjidhja që vë në qendër sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorit, edhe nëse sjell kosto afatshkurtër për importuesit dhe mund të ndikojë përkohësisht në oferta apo çmime në treg.
Skenari i dytë – vazhdimi pa ndryshim. “Alternativa është që ministria të mos ndërhyjë në kohë, duke lënë kështu një zonë gri. Ligjërisht, urdhri i vjetër mbetet në fuqi dhe importi mund të vazhdojë në praktikë, edhe pse baza mbi të cilën është ndërtuar (miratimi nga BE) nuk do të ekzistojë më pas 3 shtatorit. Në këtë rast, do të ishte tregu, dhe jo standardi shëndetësor i përditësuar, ai që do të përcaktonte nëse mishi brazilian vazhdon të hyjë në Shqipëri, në kurriz të kontrollit të plotë veterinar mbi këto produkte”.
Megjithëse duhen edhe 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të BE-së, nuk ka asnjë njoftim publik nga Ministria e Bujqësisë apo nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që të tregojë cilën rrugë do të ndjekë institucioni. Vox News do të vijojë të ndjekë zhvillimet dhe pret përgjigje zyrtare nga ministria e Bujqësisë përpara datës 3 shtator 2026, kur ndryshimi rregullator evropian hyn në fuqi.
Përtej burokracisë ndërkombëtare, çështja prek drejtpërdrejt sigurinë ushqimore të konsumatorit shqiptar. Nëse Shqipëria nuk përshtat në kohë kuadrin ligjor, ekzistojnë të njëjtat dy skenarë të përshkruar më sipër: ose importi i mishit brazilian të gjedhit dhe shpendëve vazhdon në mënyrë të parregulluar, pa bazë të qartë ligjore për kontrollin veterinar, ose ndërpritet me vendim ministror, me pasoja të mundshme në furnizim dhe çmime në tregun vendas.
Në të njëjtën kohë, fakti që certifikatat veterinare për mishin e derrit kanë mbetur pa u përditësuar për dy dekada ngre pyetjen se sa herë të tjera marrëveshje të ngjashme dypalëshe, me vende të tjera jashtë BE-së, mund të kenë mbetur në të njëjtën gjendje “të ngrirë”, pa u rishikuar në përputhje me zhvillimet e legjislacionit evropian mbi sigurinë ushqimore.



