spot_img
spot_img

Super taksë për makinat luksoze, Rama: Taksim edhe për ata që fitojnë me “like” dhe “followers”

spot_img

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ndryshime të reja në sistemin fiskal, duke bërë të ditur se qeveria po përgatit një skemë të re taksimi për ekonominë digjitale, e cila do të përfshijë individët që sigurojnë të ardhura përmes platformave online, si dhe aktivitetet e mirëfillta të tregtisë digjitale.

Gjatë prezantimit të masave në kuadër të paketës së re fiskale, Rama u shpreh se ka ardhur koha që edhe të ardhurat e krijuara përmes aktiviteteve në internet t’i nënshtrohen një sistemi të përcaktuar taksimi.

“Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me like dhe followers, dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave”, deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, Ministria e Financave po punon për hartimin e një projekti të posaçëm, ndërsa paralelisht po përgatiten edhe ndryshime të tjera ligjore dhe vendime për zbatimin e politikave të reja fiskale.

Kreu i qeverisë argumentoi se këto masa synojnë një shpërndarje më të drejtë të barrës së taksimit, duke përfshirë edhe kategori që deri më tani nuk janë trajtuar në mënyrë të posaçme nga sistemi fiskal.

Një tjetër masë e paralajmëruar nga kryeministri lidhet me vendosjen e një takse shtesë për automjetet luksoze, e cila do të jetë pjesë e paketës së re fiskale.

“Në këtë paketë fiskale do të ketë dhe një super taksë për makinat e luksit”, theksoi Rama.

Lajmet e fundit