7.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Të lumtë Elisa!

    Nga Altin Ketro

    Në gjithë analizat që do bëhen për zgjedhjet vendore 2023, padyshim që fitorja e socialistëve në bashkinë Shkodër, si kandidat po edhe si këshill bashkiak, do komentohet gjatë. Sigurisht që në këtë fitore historike ndikuan shumë faktorë si: përçarja e të djathtës duke sjellë demoralizim tek elektorati i saj për të dalë në zgjedhje, kandidati Spahia i cili nuk arriti dot të ngjallë frymë besimi ndonëse vetëm 1 vit në detyrë, dyshja Berisha – Metaj që ishin një ofertë e konsumuar politike edhe në Shkodër, kandidati frymëzues që përfaqësoi PS-në, etj.

    Megjithatë do doja të evidentoja edhe një element të veçantë, që mbase nuk bie shumë në sy, por që personalisht e vlerësoj si një arsye plus që i shtoi votat Partisë Socialiste dhe kandidatit të saj.

    Bëhet fjalë për të drejtuesen politike të PS-së në qarkun Shkodër, zonjën Elisa Spiropali. Më 4 tetor 2022 ajo u prezanua përpara strukturave socialiste si personi që do i çonte ata në fitore. Nuk di të them sesi e kanë pritur socialistët shkodranë këtë emërim, por personalisht m’u duk një bast i madh caktimi i saj në Shkodër.

    Kryeministri Rama kishte tentuar më herët që si drejtues politik në Shkodër të kishte dërguar tipikisht shkodranë si Ditmir Bushati, pastaj Ilir Beqaj, e më pas ministrja Edona Bilali. Me gjithë punën e tyre të mirë, ata nuk arritën dot të realizojnë objektivat që Rama kishte për këtë bashki.

    Emrin e zonjës Spiropali e pashë me dyshim për në Shkodër, sepse ajo ka qenë në çdo moment “Mëkëmbësja” e kryeministrit Rama në Kuvendin e Shqipërisë. Dihet që Rama kishte hequr dorë nga replikat me Berishën, çfarëdo që ky i fundit të thoshte për të. Dihet po ashtu që Berishës i përgjigjej flakë për flakë zonja Spiropali. Bile, ajo ishte edhe më e ashpër me Berishën sesa do të ishte Rama po të replikonte.

    E pra, pikërisht kjo luftëtare politike anti-Berishë, kjo vajzë e lindur në Tiranë por me origjinë nga skaji jugor i Shqipërsë, Saranda, arriti të korrë fitoren e parë si drejtuese politike në skajin verior të Shqipërisë siç është Shkodra.

    Nga ajo që kemi ndjekur këto vite, dega e Partisë Socialiste në Shkodër ka qenë më problematikja. Ishte e vetmja degë e kësaj partie që nuk gjente qetësi nga sherret e brendshme. Nuk di të them arsyet që kanë patur, por sot di të them që vajtja e zonjës Spiropali atje, bëri që për 8 muaj kjo degë të kthehet kompakte dhe frytdhënëse në fushën e betejës elektorale.

    Vajtja e zonjës Spiropali në Shkodër, përkon edhe me braktisjen që një eksponent i rëndësishëm politik atje, deputeti Çela, i bëri LSI-së pas shumë vitesh angazhim pranë çiftit Metaj-Kryemadhi e t’i bashkohet PS-së.

    Një shprehje popullore thotë: “Inat e ke, por hakun mos ia ha”. E pra, kijeni inat sa të doni zonjën Spiropali, por mos ia hani hakun për meritën e padiskutueshme që ka duke arritur të bashkojë çdo zë brenda PS-së Shkodër, po edhe përtej kësaj partie, të organizojë dhe koordinojë veprimet në terren në të gjitha njësitë e bashkisë Shkodër, e të arrijë suksesin e merituar të punës.

    Kjo tregon se ajo zotëron aftësi të admirueshme komunikimi, duke ditur se shpirti shkodran nuk para i ka qejf këta të “deleguarit e Tiranës”. Ajo ka ditur të negociojë bukur me çdo faktor politik, por edhe qytetar, të përshtatet me terrenin e vështirë shkodran të Partisë Socialiste, të krijojë frymë pozitive në sytë e njerëzve atje dhe ja, rezultatet vijnë vetë.

    Natyrisht, kandidati Benet Beci ka meritat e veta të pamohueshme. Ama, nëse drejtuesi politik i PS-së do kishte qenë një tip i papranueshëm në sjellje e veprime për shkodranët, nuk e diskutoj që do kishte ndikuar negativisht në votat e zotit Beci.

    Prandaj është vendi ta theksojmë me të madhe, e ta themi me plot gojë, se zonja Spiropali ishte një gjetje e duhur për t’u deleguar në Shkodër. Ajo, bashkë me kandidatin Beci, krijuan atmosferën e duhur për të korrur frytet e një pritjeje të gjatë 32 vjeçare, të shpërblyer më në fund me besim e shpresë nga Zoja Shkodër. Për të gjitha këto, ajo e meriton plotësisht t’i thuhet: Të lumtë Elisa!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit