Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur pasditen e kësaj të shtune qytetin e Korçës, ku një 20-vjeçar është vrarë me armë zjarri në lagjen nr. 14. Viktima është identifikuar si Joan Zuko, i cili sipas informacioneve paraprake rezulton të ishte pjesë e Forcave të Armatosura.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, ndërsa dinamika e krimit po hetohet nga Policia dhe grupi hetimor që ndodhen në vendngjarje.
Sipas të dhënave paraprake të siguruara për ngjarjen, Zuko dyshohet se është ndjekur nga autori përpara se të përfundonte brenda një pallati në zonën e lagjes nr. 14.
20-vjeçari, i cili mësohet se nuk ishte banor i kësaj lagjeje, dyshohet se ka tentuar t’i shpëtojë ndjekjes duke u futur në hyrjen e një apartamenti.
Por përpjekja për t’u fshehur nuk ka mjaftuar.
Autori dyshohet se e ka ndjekur deri brenda pallatit, ku ka arritur ta gjejë dhe më pas e ka qëlluar me armë zjarri, kallashnikov.
Plumbat i kanë shkaktuar plagë të rënda 20-vjeçarit, duke i marrë jetën.
Menjëherë pas të shtënave, autori është larguar nga vendngjarja dhe aktualisht ndodhet në arrati. Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.
Forca të shumta policie kanë futur qytetin e Korçës në shtetrrethim, ndërsa grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të skenës së krimit.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa kamerat e sigurisë në zonë mund të jenë një prej elementeve të rëndësishme për rindërtimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit para dhe pas krimit.



