Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e ka cilësuar deklaratën e gazetarit Arjan Curri mbrëmë në Top Story si të pavërtetë.
Curri, duke iu referuar marrëveshjeve politike PS-PD, tha se Balla dhe Gazment Bardhi futen në një dhomë të fshehtë dhe bëjnë marrëveshje të errëta.
“Unë kam folur për një dhomë sekrete në Parlament, ku herë pas here futen Taulant Balla me Gazment Bardhin, kur nuk flasin dot në telefon, dhe aty bëjnë marrëveshjet e errëta, të cilat janë kundër interesit publik dhe shqiptarëve”, tha Curri mbrëmë në Top Channel.
Por kjo deklaratë është cilësuar si sajesë nga ana e Taulant Ballës, i cili shkruan në Facebook se: “Shushunjat e darkës, kur nuk ka sherr në Kuvend, ngelen pa pickuar, ndërsa dakordësinë për hir të interesit të Shqipërisë e quajnë tradhëti”.
Në fund, zyrtari i lartë socialist thekson se qytetarët duhet t’u besojnë raportimeve të gazetarëve dhe jo atyre nga “kolltuku”.
Postimi i Ballës
Një gazetar me shumë eksperiencë këtë soj e quan kolltukofag, sepse ky, në vend të lajmit, siç bëjnë gazetarët/gazetaret e palodhur dhe më pak të paguar të terrenit, sajon lajmin e rremë nga kolltuku.
‘Shushunjat’ e darkës, kur nuk ka sherr në Kuvend, ngelen pa pickuar, ndërsa dakordësinë për hir të interesit të Shqipërisë e quajnë tradhëti.
Prandaj rekomandohet të mos dezinformoheni nga kolltukofagët e banaqeve të darkës. Besojuni raportimeve të gazetarëve.



