Rajoni i Ohrit, që përfshin Liqenin e Ohrit dhe zonat e mbrojtura përreth tij në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, shmangu edhe këtë herë përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, por Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vlerësoi se kërcënimet mbeten serioze dhe u dha dy shteteve pesë vite për të zbatuar rekomandimet.
Sipas UNESCO-s, ndërtimet pa leje, urbanizimi i pakontrolluar, dëmtimi i vijës bregliqenore, menaxhimi i pamjaftueshëm i ujërave të zeza dhe mbrojtja e pamjaftueshme e ekosistemit mbeten kërcënimet kryesore për Rajonin e Ohrit.
Arian Merolli, ekspert i mjedisit dhe i trashëgimisë botërore, shpjegoi për Amfora.al se afati i ri nuk duhet interpretuar si shenjë se rreziku ka kaluar.
“Për mua personalisht ky nuk është një vendim shpresëdhënës. Që nga viti 2020 kam ndjekur procesin dhe kam parë se një pjesë e institucioneve përgjegjëse nuk kishin informacion për strategjinë dhe planin e rehabilitimit”, tha ai.
Sipas tij, strategjia e miratuar nga të dy shtetet duhej të shoqërohej me një plan të detajuar zbatimi, me afate dhe përgjegjësi të qarta për çdo masë që synon mbrojtjen e liqenit.
Vendimi u mor në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të zhvilluar në Busan të Koresë së Jugut, ku 16 nga 21 shtetet anëtare votuan pro. Krahas shtyrjes së vendimit për përfshirjen e rajonit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, UNESCO kërkon që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përshpejtojnë zbatimin e rekomandimeve, duke përfshirë heqjen e ndërtimeve pa leje, përshtatjen e planeve urbanistike me standardet e organizatës dhe hartimin e vlerësimeve strategjike të ndikimit në mjedis.
UNESCO kërkon gjithashtu që autoritetet, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, të përshpejtojnë vlerësimin e ndikimit të ndërtimeve pa leje mbi vlerën universale të rajonit dhe kur është e nevojshme, t’i shembin ato. Po ashtu rekomandohet që të mos miratohen plane të reja urbanistike apo zhvillimore derisa të përfundojnë vlerësimet strategjike mjedisore.
Sipas raporteve të auditimit, Komuna e Ohrit nuk ka miratuar plane urbanistike për 20 vendbanime, ndërsa nuk janë marrë masa për prishjen e 4847 ndërtimeve pa leje, megjithëse gjatë viteve 2019-2024 janë nxjerrë 456 vendime përfundimtare. Në zonat e mbrojtura janë evidentuar gjithashtu ndërtime dhe struktura të ngritura pa leje.
Merolli thotë se pikërisht mungesa e zbatimit të masave e bën të pasigurt përmbushjen e detyrimeve të reja.
“Jam skeptik se sa reale do të jetë gatishmëria e dy shteteve për të zbatuar këto detyrime. Nëse nuk respektohen angazhimet që burojnë nga Konventa e Trashëgimisë Botërore, rajoni rrezikon të humbasë statusin e tij si pasuri botërore”, u shpreh ai.
Përveç ndërtimeve pa leje, vendimi i UNESCO-s kërkon edhe shqyrtimin e alternativave për ndërtimin e Korridorit 8 dhe vlerësimin e ndikimit që projektet infrastrukturore mund të kenë mbi zonën e mbrojtur.
Eksperti ngre shqetësime edhe për mënyrën se si raportohet progresi në zbatimin e rekomandimeve.
“Raportet vjetore nuk pasqyrojnë realitetin në terren dhe nuk trajtojnë në mënyrë profesionale rekomandimet e UNESCO-s apo mënyrën se si duhet të zgjidhen problemet”, tha Merolli.
Paralajmërimet për Rajonin e Ohrit nuk janë të reja. Prej vitesh UNESCO, ekspertët e trashëgimisë dhe organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime për zhvillimin e pakontrolluar, ndërtimet pa leje dhe mungesën e masave efektive për mbrojtjen e ekosistemit.
Në vitin 2023, gjatë një “workshop”-i në Pogradec me gazetarë investigativë, ekspertët paralajmëruan se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hasnin vështirësi në zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-s dhe se pa ndërhyrje konkrete, rajoni rrezikonte të përfshihej në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Një tjetër sinjal alarmi erdhi në fund të vitit 2024, kur raporti i Misionit Reaktiv të Monitorimit të UNESCO-s arriti në përfundimin se keqmenaxhimi dhe mungesa e veprimeve konkrete nga të dy qeveritë po shkaktonin degradim të vazhdueshëm të ekosistemit dhe po rrezikonin humbjen e statusit të Rajonit të Ohrit si Trashëgimi Botërore.
Ekspertët kanë ngritur shqetësime edhe për zhvillimet urbane pranë zonave arkeologjike, duke argumentuar se ndërtimi i objekteve moderne rrezikon të dëmtojë një territor ku janë zbuluar gjurmë të vendbanimeve rreth 8500-vjeçare, të konsideruara ndër më të hershmet në Evropë.
Edhe organizatat mjedisore dhe shoqëria civile kanë paralajmëruar prej vitesh se rekomandimet e UNESCO-s nuk po zbatohen me ritmin e kërkuar. Së fundmi, ato kanë denoncuar uzurpimin e disa plazheve në bregun e Liqenit të Ohrit nga koncesionarë, duke akuzuar komunat dhe inspektoratet për mungesë ndërhyrjeje. UNESCO ka përsëritur vazhdimisht kërkesat për ndalimin e urbanizimit të pakontrolluar, eliminimin e ndërtimeve pa leje, mbrojtjen e vijës bregliqenore, përmirësimin e trajtimit të ujërave të ndotura, ruajtjen e Kënetës së Studençishtës dhe forcimin e koordinimit mes institucioneve të dy vendeve.
Liqeni i Ohrit konsiderohet një nga tre liqenet më të vjetër në botë, me një histori gjeologjike që daton rreth katër milionë vite më parë. Me një thellësi maksimale prej 285 metrash, ai është liqeni më i thellë në Ballkan dhe një nga rezervat më të rëndësishme të biodiversitetit në Evropë, ku jetojnë mbi 200 specie, shumë prej tyre endemike, si korani, që gjenden vetëm në këto ujëra.
Për vlerat e tij të jashtëzakonshme natyrore, pjesa maqedonase e rajonit u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1979, ndërsa statusi u zgjerua në vitin 1980 edhe për trashëgiminë kulturore. Në korrik të vitit 2019, UNESCO e zgjeroi këtë status edhe në pjesën shqiptare të Rajonit të Ohrit, duke e njohur liqenin si një trashëgimi të përbashkët botërore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.



