Vetëm disa orë pasi presidenti rus kërcënoi me përdorimin e armëve bërthamore, “zëdhënësi i propagandës së tij”, spikeri televiziv Dmitry Kiselyov, ka shantazhuar Perëndimin me asgjesim nuklear. Duke folur për televizionin kombëtar rus “Rossiya 1”, Kiselyov ka paralajmëruar shtetet e NATO-s duke përfshirë SHBA-në. Kiselyov u shpreh se nëndetëset ruse mund të qëllojnë me rreth 500 raketa bërthamore, ndaj Perëndimi bën mirë të stepet.
“Rusia ka armët bërthamore që manovrohen nga bombarduesit më të shpejtë e më strategjikë. E mos të përmendim pastaj Forcat Strategjike ruse të Raketave. Potenciali nuklear i Rusisë është më i forti në botë. Putin e paralajmëroi Perëndimin. Mos u përpiqni të friksoni Rusinë”, tha Kiselyov.
Gjatë edicionit informativ “Vesti Nedeli”, që u trasmetua në 11 orare të ndryshme në Rusi, spikeri fajësoi sekretaren britanike të jashtme, Liz Truss se po përpiqej të intimidonte Rusinë. Folësi rus ka tallur ministren e jashtme duke komentuar fjalët e saj ku Truss shprehej se një konflikt i armatosur mes Rusisë dhe NATO-s mund të lindte nga kriza në Ukrainë.
“Një konflikt mes Rusisë dhe NATO-s për Ukrainën?! Një gjë e tillë nuk është dëgjuar kurrë më parë”, tha Kiselyov. Ai shtoi: “Pastaj, me kapacitetin nuklear të Rusisë me armë supersonike si Tsirkon-i, Perëndimi zor se ka ndonjë mundësi kundër nesh”.
“Kjo do të garantonte shkatërrimin e SHBA-së dhe të gjitha vendeve të tjera të NATO-s. Armët bërthamore të Rusisë shpërndahen nga bombarduesit strategjikë më të shpejtë në botë. Potenciali bërthamor rus është më i fuqishmi në botë. Çfarë do të ishte bota pa Rusinë? Mos u përpiqni të trembni Rusinë”, tha ai.