Gjilberta Lucaj është një tjetër emër shqiptar që ka shënuar sukses ndërkombëtar. Violinçelistja shkodrane, që sot është një ndër më të njohurat në SHBA, dha një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ku tregoi se si nisi rrugëtimi i saj. Ajo tregoi se arriti të triumfojë në mesin e rreth 2 mijë konkurrentëve në një konkurs që mori pjesë pasi shkoi në New York.
“Fillova të jap koncerte në fashion show. Kjo më hapi shumë dyer. Gjithmonë ka muzikë nëpër fashion show por nuk kishte muzikë klasike. Njerëzit filluan të më kontaktojnë, kam dhënë shumë koncerte, më doli nami dhe filluan të më marrin.“, tha ajo duke treguar se si mori famë. Gjilberta ka pasur fatin të punojë me një sërë emrash të njohur si Beyonce, Alicia Keys dhe Ricky Martin.
Duke folur për takimin me Beyonce, ajo tha se ishte befasuar kur kishte parë se diva e muzikës punonte për rreth 16 orë në ditë ndërsa bashkëshortin e saj, Jay-Z e përshkroi si një “koprac”. Ajo ka interpretuar dhe si aktore dhe ka luajtur në 6 filma. E pyetur se si nisi të merrej me aktrim, ajo shpjegoi momentin kur kishte kuptuar talentin në këtë fushë.
“Ishte diçka shumë qesharake sepse isha duke bërë muzikë për një film të një mikut tim regjisor. Më tha a mundesh që të lexosh scriptin. Isha aty dhe kamerat ishin të hapura dhe duke lexuar më tha që më dukesh shumë mirë në ekran. Ai ma mbushi mendjen dhe filmi i parë është një film me metrazh të shkurtër, për të cilin kam marrë dhe një choise awards. Tani kam bërë 6 filma deri tani si aktore kryesore.”, tregoi ajo.