22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Vlerësimi i Cybermetrics: Universiteti më i mirë në Shqipëri renditet i 3971-ti në botë

    Prej 20 vitesh, grupi spanjoll Cybermetrics Lab përgatit një renditje të universiteteve në nivel botëror, mbështetur në volumin e përmbajtjes së tyre në internet, por shikueshmërinë dhe ndikimin e punimeve të këtyre universiteteve, bazuar kryesisht në citimet e tyre në punimet e studiuesve të tjerë (Webometrics Ranking of World Universities).

    Cybermetrics Lab është një grup kërkimor që i përket Këshillit të Lartë të Kërkimit Shkencor, enti më i rëndësishëm publik i kërkimit shkencor në Spanjë. Publikimi i fundit i kësaj renditjeje, i muajit janar 2023, tregon se universitetet shqiptare janë shumë larg niveleve të larta të renditjes.

    Renditja ka tre indikatorë kryesorë, atë të ndikimit, që tenton të masë numrin e lidhjeve të jashtme të lidhura me faqet e internetit të universitetit; ekselencës, që mat numrin e punimeve shkencore që janë pjesë e grupit të parë (prej 10%) të cituara në punimet e autorëve të tjerë; hapjes (transparencës), që tenton të japë pjesëmarrjen e studiuesve të universiteteve në grupin e studiuesve më të cituar.

    Nga sa më lart, renditja nuk bazohet në një analizë të drejtpërdrejtë të parametrave të kërkimit shkencor, por në mënyrë të tërthortë jep indikacione lidhur me volumin e punimeve akademike dhe shkencore të universiteteve, si edhe me faktin se sa ky informacion aksesohet dhe citohet nga studiuesit apo palët e tjera të interesit.

    I pari mes universiteteve shqiptare renditet Universiteti i Tiranës, që mban vendin e 3972-të në Botë, i ndjekur nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, në vendin e 4379-të në Botë.

    Ndër universitetet private, i pari renditet Universiteti “Epoka”, që rezulton i treti në Shqipëri dhe në vendin e 4568-të në Botë.

    Më tej, vijon Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan.

    Pozicioni i Shqipërisë nuk është shumë i mirë as krahasuar me vendet fqinje të rajonit. Mes pesë vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovinë), numërohen 14 universitete që kanë një renditje më të larta se universiteti i parë shqiptar (Universiteti i Tiranës). Universiteti i parë në rajon renditet Universiteti i Beogradit, në vendin e 443-të në Botë, i ndjekur nga Universiteti i Novi Sadit, në vendin e 963-të, Universiteti i Nishit, në vendin e 1487-të. Ndër universitetet me pozicionim më të mirë se Universiteti i Tiranës renditet edhe ai i Prishtinës, në vendin e 2982-të në Botë.

    Në nivel botëror, renditja dominohet nga universitetet amerikane. Nga dhjetë universitetet e para në renditje, nëntë prej tyre ndodhen në SHBA. Renditja kryesohet nga Universiteti i Harvardit, i ndjekur nga ai i Stenfordit dhe Instituti i Teknologjisë së Masaçusets. Universiteti i parë europian në renditje është i Oksfordit, në Britaninë e Madhe, që ndodhet në vendin e pestë në Botë, i ndjekur nga Universiteti i Kembrixhit, vendin e dymbëdhjetë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit