spot_img
spot_img

1 në 5 banorë mbi 65 vjeç

spot_img

Shqipëria po hyn në reformën e re territoriale me një popullsi jo vetëm më të vogël, por dukshëm më të plakur. Mosha mesatare është rritur nga 35,3 vjeç në vitin 2011 në 42,5 vjeç në 2023, ndërsa personat 65 vjeç e lart përbëjnë tashmë 19,7% të popullsisë, nga 11,3% që ishin dymbëdhjetë vjet më parë. Praktikisht, gati një në pesë banorë i përket moshës së tretë.

Të dhënat, të përfshira në relacionin që shoqëron projektligjin e reformës administrativo-territoriale, përdoren për të argumentuar se harta e pushtetit vendor duhet të përshtatet jo vetëm me numrin e banorëve, por edhe me ndryshimin e nevojave të tyre. Raporti i varësisë së të moshuarve është rritur nga 16,7% në 30,4%, ndërsa ai i të rinjve ka rënë nga 30,4% në 24%.

Sipas relacionit, plakja ndryshon drejtpërdrejt llojin e shërbimeve që duhet të ofrojë pushteti vendor, duke rritur kërkesën për shërbime sociale, kujdes shëndetësor, asistencë në komunitet dhe shërbime të aksesueshme për të moshuarit. Pra, problemi i bashkive që po humbin popullsi nuk është vetëm se kanë më pak taksapagues; ato duhet njëkohësisht t’i përgjigjen një popullsie më të moshuar dhe me nevoja më të mëdha për kujdes.

Fenomeni nuk shpërndahet njësoj në territor. Gjatë periudhës 2011–2023, sipas relacionit, Qarku Shkodër humbi 28,3% të popullsisë, Kukësi 27,3% dhe Lezha 25,8%. Tirana, në të kundërt, shënoi rritje të lehtë prej 1,2%, ndërsa Berati mbeti thuajse i qëndrueshëm me rënie 0,7%.

Në shkallë kombëtare, Censi 2023 regjistroi 2.402.113 banorë, 15,2% më pak se në 2011, ndërsa gati gjysma e popullsisë jeton tashmë në vetëm shtatë bashki. Relacioni evidenton se zonat malore po plaken dhe zbrazen, ndërsa popullsia përqendrohet gjithnjë e më shumë në pak qendra.

Kjo krijon dy presione të kundërta mbi pushtetin vendor. Në territoret që zbrazen reduktohen fuqia punëtore dhe baza e taksapaguesve, ndërsa kostoja për banor e transportit, administrimit dhe shërbimeve mund të rritet. Qendrat që tërheqin popullsi, ndërkohë, përballen me presion më të madh mbi infrastrukturën, transportin, strehimin dhe shërbimet publike.

Pikërisht ky ndryshim demografik paraqitet si një nga arsyet sociale për hartën e re me më pak bashki. Por sfida pas bashkimeve do të jetë nëse njësitë më të mëdha do ta kthejnë kapacitetin e shtuar financiar dhe administrativ në shërbime konkrete për një popullsi që po plaket me shpejtësi, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta.

Lajmet e fundit