Marrëdhënia mes Soni Malajt dhe Flor Mumajesit ka qenë një nga temat më të komentuara gjatë rrugëtimit të këngëtares në “Ferma VIP 3”. Pasi një natë më parë mori një surprizë me 300 dronë, që u tha se ishte dërguar nga Flori, Soni u përball në prime me pyetjet e Arbanës për raportin e tyre.
E pyetur nëse e kishte pritur një gjest të tillë, Soni u shpreh se mbështetja e Florit ka qenë gjithmonë e rëndësishme për të, duke nënkuptuar se ndonëse kanë një histori së bashku, ruajnë raporte të mira.
“Unë gjithmonë e kam pasur të nevojshme mbështetjen e Florit. Pa diskutim ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Si ai, edhe unë, jemi persona shumë diskretë. Pavarësisht këtij vizibiliteti të madh, gjërat personale i mbajmë private. Prisja ndoshta diçka të vogël, por jo aq të madhe. Për mua ishte një lumturi shumë e madhe, sepse Flori është një tip që nuk flet shumë. Nuk është i fjalëve të mëdha, gjithmonë kemi folur me vepra”, tha ajo.
Më pas, këngëtarja foli edhe për raportin që kanë ruajtur ndër vite, pavarësisht zërave dhe aludimeve që kanë qarkulluar vazhdimisht.
“Ne kemi një respekt reciprok për njëri-tjetrin. Pavarësisht aludimeve që mund të jenë bërë në publik apo në media, ne e kemi mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin.”
Arbana tregoi gjithashtu se Flori e ndjek rregullisht “Ferma VIP”. E pyetur se çfarë do t’i thoshte nëse ai po e shikonte në ato çaste, Soni u përgjigj duke na lënë të kuptojmë se e kishte marrë surprizën e dronëve si diçka më shumë sesa thjesht një formë mbështetjeje:
“Unë besoj që në një marrëdhënie hapat pak më të rëndësishëm duhet t’i marrë mashkulli. Ai gjërat nga ana ime i di, kështu që nuk kam çfarë t’i them.”
Kur Arbana e pyeti drejtpërdrejt nëse do t’i jepte një shans të dytë kësaj historie, ndonëse Flori nuk e kërkoi kurrë një gë të tillë, madje as u shfaq fizikisht për surprizën, Soni kujtoi një bisedë që kishte bërë me Mozën brenda fermës.
“I thashë Mozës që ndoshta pleqëria është më e ëmbël për t’u kaluar bashkë.”
Dhe në fund, nga pyetjet e fundit të Arbanës, Soni pyeti:
“Tani vetëm një pyetje kam. Unë kam hyrë në fermë me statusin ‘single’. Unë nuk quhem më ‘single’ tani, që ta di? Merrni një konfirmim nga Flori, se mos na hyn ndonjë fermer dhe ku i dihet.”
Megjithatë, Arbana sqaroi se dronët ishin thjesht një surprizë dhe një formë mbështetjeje nga Flori, pa ndonjë deklaratë tjetër publike nga ana e tij.
Edhe fermerët nuk e lanë momentin pa komentuar. Me humor, Moza i tha Sonit të mos gënjehej vetëm nga një dron, por t’i kërkonte Florit të vinte vetë në fermë.
Kjo mënyrë surprize u bë objekt diskutimi edhe në rrjetet sociale. Shumë njerëz kanë bërë komente me humor si: “Flori e di që i ka dërguar dronë Sonit?”, marrë parasysh natyrën kaq diskrete të kësaj surprize.



