Nga Ylli Pata
Ervin Salianji ka shpallur mbajtjen e një takimi të madh nesër në Tiranë në Akademinë e Arteve. “Shihemi nesër tek Akademia e Arteve, Sheshi “Nënë Tereza” me lëvizjen për një PD FITUESE”, shkruan Salianji në rrjetet sociale.
Një lëvizje e pritshme me logjikë, por e vështirë sidomos pas asaj që quhet si “referendumi” për rikonfirmimin e Sali Berishës.
Edhe pse e vështirë, Ervin Salianji nuk se ka shumë hapësirë për të lëvizur. Ai mund të krijojë një parti të re, por gjasat janë që nuk e pëlqen këtë manovër jashtë rrethit.
Do të luajë, së paku virtualisht, apo edhe psikologjikisht brenda suazës së PD-së. Edhe pse mund të duket si paksa surreale, ka disa rrethana që janë me Salianjin.
Ose më mirë të thuhet, që nuk janë në favor të Sali Berishës. “referendumi” i javës së shkuar, pavarësisht se u fry shumë dhe u mbështet emër për emër nga e gjithë kupola rreth Berishës, doktori nuk duket se është shumë i kënaqur, madje duket më shumë i frustruar.
Ngaqë numrat që dolën nga “referendumi” nuk bindën, ë më shumë se numrat ishte gjeopolitika e votës së anëtarëve. E cila mbeti në sordinë të vërtetë, ndërkohë kur degët e PD-së janë realisht në impas. Salianji ka një informacion të detajuar për atë që ndodh brenda partisë, e këtë e tregoi jo thjeshte tek fletët e votimit që publikoi gjatë “referendumit”, por sepse njerëzit që e kanë shoqëruar deri tani në takimet e tij, janë pjesë e strukturave të PD-së.
Nuk ka përse të fshihet apo të nënvlerësohet fakti që Ervin Salianji ka me vete një grup personazhesh, të cilët janë në zonat e tyre, të kyçur në strukturat e PD-së. E pavarësisht që në opinion tentohet të fshihet, ne kemi në PD dy grupime së paku, pasi mund të ketë edhe më shumë, që janë në ndeshje.
Një process normal zgjedhor, ose së paku sa më normal që të mundet, mund të ulte shumë pakënaqësi, por këtë nuk ka mundur ta bëjë Sali berisha. i cili nga ana tjetër, ishte krejt i pamundur të bënte edhe negociatat apo afrime të njerëzve të Salianjit, duke u ofruar poste. Ka shkuar shumë larg në një përplasje, e cila nuk u zgjidh me referendum.
Takimi i nesërm i Salianjit, në fakt synon ta kthejë “referendumin” në një nulitet politik. Por a do të hapë një fazë të re në PD/ Kjo betet për tu parë, pasi tani nuk ka edhe shumë gjëra për tu fshehur.
Në një intervistë televizive, Ervin Salianji tha se kishte me vete një numër dyshifror deputetësh të PD-së. Nëse jo është në të vërtetë, ai duhet t’i shfaqë që nesër. Nëse e ndodh po, kemi të bëjmë me një lëvizje të rëndësishme. E cila mund të sjellë një dinamizim, që natyrisht ka kohën e procesin e saj, por nis diçka. Megjithatë, lajmi natyrisht nuk është tek impasi i Sali Berishës, por në atë se çfarë ka ndërmend Salianji dhe kush është me të.



