25.5 C
Tirana
E premte, 17 Prill, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Erion Veliaj: Zbuloni kush fshihet pas Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit

    Të zbulohet kush fshihet pas “Nesti Angonit” dhe “Nasta Pëllumbit”, që falsifikoi dokumente për të nisur një proces në SPAK ndaj tij. Kjo është kërkesë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj nga Prokuroria e Tiranës, ku ka depozituar një kallëzim penal. Në kallëzimin për ‘falsifikim dokumentesh’ që mban datën 16 prill 2026, i firmosur nga qelia e Durrësit, Veliaj thotë se këta dy “persona” që nuk ekzistojnë në Gjendjen Civile janë bërë shkas që ndaj tij SPAK të regjistrojë procedimin penal në kundërshtim me ligjin.

    Kryebashkiaku i Tiranës thotë se nuk bëhet fjalë për kallëzime anonime në kuptimin klasik, por për simulim të kallëzuesve realë, të materializuar me emra dhe nënshkrime të rreme, me qëllim krijimin e një besueshmërie artificiale përpara organit të akuzës. Në kallëzim thuhet se ky veprim nuk është vetëm falsifikim dokumentesh, por edhe ndërhyrje direkte në mekanizmin e nisjes së ndjekjes penale, pasi mbi këto materiale u bën hetime me pasoja konkrete juridike.

    “Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të dokumentit “Të dhëna për SPAK”, ka filluar verifikimet dhe më pas ka regjistruar kundër personit tim, në datën 08.02.2024, procedimin penal nr. 27. Si bazë për fillimin e procedimit penal ndaj meje ka shërbyer dokumenti “Të dhëna për SPAK”, i hartuar dhe i nënshkruar nga një person i vetëidentifikuar si “Nesti Angoni”. Nga verifikimet e kryera nga vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe për rrjedhojë kemi të bëjmë me një identitet të rremë. Në këtë kontekst, është thelbësore të theksohet se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim në kuptimin klasik të ligjit, por me një dokument të paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar, përmes përdorimit të një identiteti të rremë konkret, të shoqëruar me nënshkrim fizik. Ky element e diferencon rrënjësisht këtë rast nga një komunikim anonim, pasi kemi një simulim të vetë identitetit të kallëzuesit, me qëllim krijimin e një besueshmërie të rreme përpara organit procedues.”, thuhet në kallëzim.

    Një tjetër pikë e ngritur në kallëzim lidhet me standardin që SPAK ka deklaruar publikisht, sipas të cilit vetëm kallëzimet që përmbushin kriteret formale dhe procedurale mund të regjistrohen si të tilla. Sipas Veliajt, në këtë rast është vepruar në kundërshtim me këtë standard, pasi një dokument që nuk është paraqitur si kallëzim penal dhe që ka formën e një informacioni, është trajtuar si kallëzim i vlefshëm penal, ndonëse lidhet me identitet të rremë. Në kallëzim Veliaj thotë se të dy materialet e dorëzuara ai me “Nesti Angoni” dhe tjetri i firmosur si “Nasta Pëllumbi”, dyshohet se dalin nganjë burim të përbashkët. Pra, të dy, sipas tij, mund të jenë një autor i vetëm me identitete të ndryshme, ose një mekanizëm të strukturuar për krijimin e kallëzimeve artificiale.

    “Në këtë mënyrë, dokumenti “Të dhëna për SPAK” përmban elementë të paraqitjes së rreme të identitetit dhe rrethanave, të përdorura në mënyrë të qëllimshme për të krijuar një bazë artificiale për inicimin e një procedimi penal. Personi që ka hartuar dhe nënshkruar këtë dokument ka paraqitur rrethana të pavërteta, duke firmosur në emër të një personi që nuk ekziston.

    Ky veprim nuk ka mbetur në nivelin e një komunikimi të thjeshtë, por ka prodhuar pasoja konkrete juridike, pasi mbi bazën e këtij dokumenti është regjistruar procedimi penal nr. 27/2024 dhe janë ndërmarrë veprime hetimore, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtat dhe interesat e kallëzuesit. Ky rast nuk përbën një thjesht pasaktësi dokumentare, por një ndërhyrje aktive në mekanizmin e nisjes së ndjekjes penale, duke përdorur një identitet të rremë për të krijuar një bazë të pavërtetë mbi të cilën është ndërtuar një procedim penal”, thuhet në kallëzim.

    Veliaj thotë se përdorimi i identiteteve të rreme për të vënë në lëvizje ndjekjen penale ndaj një funksionari të zgjedhur prodhon pasoja që shkojnë përtej individit, duke ndikuar në funksionimin e institucioneve publike dhe duke cenuar balancat e krijuara nga vota demokratike.

    Në fund të kallëzimit Veliajt thotë se në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e pranueshme që një procedim penal të vihet në lëvizje mbi bazën e veprimeve që në vetvete paraqesin elementë të një vepre penale. Sipas tij pranimi i një logjike të tillë do të çonte në legjitimimin e përdorimit të mjeteve të kundërligjshme për të inicuar ndjekje penale, duke deformuar rëndë funksionin e drejtësisë dhe duke cenuar parimet themelore të shtetit të së drejtës.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit