7.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Gjytyrumi që kemi për president

    Nga Bledi Lumani

    Ndërsa krejt bota prej ditësh është e shokuar nga lufta në Ukrainë, e cila rrezikon jo vetëm të prishë balancat gjeopolitike, por të godasë secilin prej nesh, emocionalisht po se po, por mbi të gjitha ekonomikisht, ka një njeri që u gdhi këtë të shtunë, ndërsa raketat ruse bombardonin Kievin dhe vrisnin të pafajshëm, duke pozuar i buzëqeshur dhe që na uron një fundjavë të mbarë.

    Nuk është ndonjë personazh dosido, se të ishte i tillë, nuk ja vlente të përmendej fare.

    Jo, është presidenti i Shqipërisë!

    Është i vetmi president në botë, që del duke u zgërdhirë në foto këto ditë, bashkë me të shoqen, për të na treguar se janë duke kaluar një fundjavë të këndshme, duke marrë rreze dielli, pasi ka kaluar një javë të ‘stresuar’, sa duke mbledhur Këshillin Kombëtar, sa duke na paralajmëruar për gjëmën që do të na ndodhë nga lufta në Ukrainë, me rritjen e çmimeve të produkteve të përditshme.

    As Maduro apo Assad, të vetmit që kanë përshëndetur luftën e Rusisë në Ukrainë, nuk janë shfaqur si ky gjytyrumi jonë dhe kanë ruajur njëfarë serioziteti në publik, duke mos e shprehur kënaqësinë e tyre të kuptueshme, që “tigri rus” po i tregon dhëmbët Perëndimit.

    Tani kuptohet, askush nuk pret nga presidenti i Shqipërisë fjala vjen të dalë në foto me armë në dorë, për të na dhënë kurajo që të mos kemi frikë, as të postojë ndonjë foto nga zyra, për të na treguar se është në punë duke menduar si mund të gjendet një zgjidhje për krizën ekonomike që mund të godasë vendin tonë.

    Kjo do të ishte e tepërt, edhe pse në fakt ai ka dalë në foto edhe me qenë e mace, dhe nuk do të ishte çudi që të postonte edhe ndonjë foto me kallash në dorë (po ndoshta s’i ka shkuar në mëndje).

    Por minimumi që mund të bëjë, është që këto ditë të vështira të ruajë seriozitetin e postit që mban, se boll e ka përdhosur.

    Të mos e shfaqë të paktën publikisht gëzimin që Rusia po i tregon “vendin” Perëndimit dhe SHBA-së dhe për të e aleatët e tij të korruptuar në Tiranë, që janë shpallur apo presin të shpallen “non grata”, po vijnë ditë me diell, se ky është thjesht një iluzion.

    Se as ai, as të ngjashmit e tij, vështirë se mund të ringjallen nga rrënojat e luftës në Ukrainë!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit