Nga Bledi Lumani
Protestat që po mbahen prej disa ditësh në Tiranë, janë kthyer në lajm ndërkombëtar.
Gjithë mediat e mëdha, janë duke raportuar për këtë protestë.
Veçse raportimet e tyre kanë një keqkuptim dhe devijim të madh, nga e vërteta.
Të gjitha ato, në një zë, raportojnë se protestat në Tiranë kanë në fokus kundërshtimin për resortin luksoz të dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, në Sazan.
Gjë që nuk është e vërtetë.
E vërteta është se protestat nisën pas dhunës barbare në Zvërnec.
Vetëm se tani, protestat kanë më shumë karakter dhe thirrje politike.
Tek tuk sheh dhe ndonjë pankartë kundër dhëndrit apo vajzës së Donald Trump.
Kjo, pasi qartësisht, protesta nuk është kundër tyre.
Protesta është kundër Qeverisë, por edhe vetë opozitës zyrtare, që çuditërisht në këtë rast janë bërë bashkë.
Por për mediat ndërkombëtare, kjo nuk përbën lajm.
Dhe është e kuptueshme, se për to nuk ka ndonjë interes të madh çfarë ndodh në një vend të vogël si Shqipëria.
Lajm përbën dhëndri dhe vajza e presidentit të Amerikës.
Ndaj dhe janë fokusuar tek kjo pikë.
Duke shtrembëruar ndoshta padashje, të vërtetën dhe thelbin e protestës që po mbahet në Tiranës.
E cila, më shumë se për Zvërnecin apo Sazanin, ka shpërthyer si akumulim i gjithë pakënaqësive ndaj politikës, ndër vite.



