Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, u tregua i prerë në emsionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, sa i takon bashkëpunimit me Sali Berishën, duke e përjashtuar kategorikisht.
Qori tha se Rama dhe Berisha bashkëpunojnë me njëri tjetrin, ndajnë të njëjtat interesa, oligarkë, ndërtues.
“Edi Rama është pushtetari më i keq, por Berisha është sivëllau i tij. Berisha ka edhe një dozë të parrëfyeshme patyfytyrësie. Brenda 3-4 ditësh çfarë nuk tha për të më sulmuar mua, në të njëjtën linjë dhe egërsi me Ramën dhe të bëjë të nesërmen sikur nuk ka ndodhur gjë, të thotë hajde futemi në koalicion. Frika ime është që kjo përsëritet anë e kënd spektrit opozitar, se çfarë thua sot nuk e thua nesër. Mendoj se politika është ndershmëri, vërtetësi.
A do të bashkohej Lëvizja Bashkë me Berishën? Përgjigja është jo për të dyja rastet.
Arsyeja më e thjeshtë sot, nuk e konsideroj Berishën drejtues të një partie opozitare. Ndajnë të njëjtët oligarkë dhe ndërtues me Ramën. Ata janë bashkë, bashkëqeverisin ekonomikisht. Ndërtohet një kullë, ndërtuesit janë të lidhur me të dy.
E dyta, çfarë ka thënë dhe vazhdon të thotë Berisha, shkaku që e ndezi protestën? Sazani dhe Zvërneci që po na i marrin, Sali Berisha për një javë rresht e ka mallkuar protestën dhe e ka konsideruar investimin e Kushner si më të madhin.
Nëse kemi një sistem zgjedhor dhe kushtetues problematik, është në bashkëautorësi, të Ramës dhe Berishës. Berisha dhe Rama janë një, Lëvizja Bashkë kurrë nuk do të bashkohet me një maskara të tillë. As në mënyrë të tërthortë siç ishte me Florian Binaj”, deklaroi Qori.
Agron Shehaj: Gabim fataj bashkëpunimi me Berishën
Edhe kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, u shpreh kategorisht kundër një bashkimi me Sali Berishën, duke thënë se bashkimi me të nuk e afron fitoren, por e largon atë.
“Kur na ftoi Berisha për të bërë koalicion në vitin 2025 nuk i thamë jo se nuk ishim mjaftueshëm atdhetarë, jo se kishim ndonjë ego. Kur na ftoi zotëria për t’u bërë pjesë e koalicionit, e njëjta gjë. Por shumë thjesht nuk e pamë të arsyeshme dhe shyqyr Zotit nuk e bëmë një gjë të tillë.
Janë vendime politike. Unë e kuptoj që mund të kemi tentim për të gjetur një rrugë të shkurtër, o burra të bëhemi bashkë, o burra ku jemi, ku s’jemi. Por ndonjëherë rruga e shkurtër të nxjerr gjatë.
Nëse ne do ta pranonim ftesën e Sali Berishës, nuk e largojmë Edi Ramën. Bashkimi nuk është asgjë, nuk na ndihmon ta rrëzojmë Edi Ramën. Kemi një thirrje nga protestuesit për t’u larguar nga partitë e vjetra. Duhet të zgjedhim: me Sali Berishën apo me protestuesit? Bashkimi rreth Sali Berishës nuk e afron fitoren, por e largon. Do të ishte gabim fatal nëse shkojmë te Sali Berisha”- tha Shehaj.
Çfarë thotë Lapaj?
Adriatik Lapaj, deklaroi se Sali Berisha duhet të largohet bashkë me Edi Ramën nga skena politike, por shtoi se nuk mund të vendosë shenjë barazimi mes tij dhe demokratëve në përgjithësi.
“Zgjedhjet bashkiake janë para. Në 9 maj do të mbahen. Tani, nuk mendoni ju, se këtë kam parasysh kur them bashkim, nuk mendoni se qytetarët mund të kenë kandidatë nga sheshi dhe nga partitë e reja? Pse të mos shkojmë me studentë dhe rininë bashkë? Flas me të rinjtë në shesh, këtë më thonë. A mundet të japim këtë alternativë? Pse jo? Ne nuk e kemi pronë këtë, duhet ta trajtojmë si mundësi për qytetarët.
Propozimi i zotit Berisha, mendoj pa asnjë dyshim, se Rama dhe Berisha duhet të tërhiqen nga skena politike, nuk kanë çfarë t’i japin Shqipërisë sot. Por nuk vendos dot shenjë barazimi mes Berishës dhe demokratëve. Nuk prodhoj dot një popull të ri. Populli shqiptar kanë votuar PS, PD, ne na duhet që këta votues ti bëjmë të kuptojnë se partitë që kanë votuar nuk kanë qenë të duhura, ti japim mundësi të vetë përfaqësohen në nivele demokratike. Prandaj përdor fjalën të bashkohemi. Nuk e kam të bashkohemi ne të tre.
Nëse flet me të rinjtë, me fermerët, pensionistët… Unë zot vij nga Korça dhe kemi arritur 90 mijë firma për referendumin. Gjëja që më thonë qytetarët është kjo, njerëzit kanë nevojë t’ju dëshmojmë mungesë egoizimi, përplasje. Janë lodhur me liderët e fortë dhe legjendarë”, deklaroi Lapaj.



