Krisa Çaushi, e ftuar në UëTëFë Show nga Andale Media, ndau për herë të parë publikisht arsyet dhe përjetimet e saj pas largimit nga RTSH, një vendim që, sipas saj, nuk ishte vetëm personal, por i diktuar nga një situatë e pasigurt dhe e menaxhuar në mënyrë të papranueshme.
“Mund ta nisim që kur unë moderoja me Ardit Muratajn ‘Mëngjesin’. Thjesht Arditi nuk ra dakord për disa pika të kontratës dhe menjëherë iu tha që ‘nëse nuk pranon, ik, nuk na intereson’. Menjëherë ditën tjetër, erdhën moderatorët e rinj.”
Krisa rrëfeu se edhe ajo vetë nuk kishte një ide të qartë për fatin e saj në program.
“Mua m’u tha deri një ditë para që ‘do jesh ti me një moderator tjetër’, që është aktualisht, më pas u ndryshua. Unë kam marrë vesh dhe shumë gjëra më pas, nuk e di sa të vërteta janë, po më kanë thënë që ishte vendosur me kohë që ne do iknim.”
Ajo u ndal veçanërisht te mënyra si u menaxhua situata nga drejtuesja e re e RTSH-së, Aurora Polo:
“Kur drejtoresha aktuale… s’mund ta quajmë drejtoreshë se nuk është… mori postin e përkohshëm aty, menjëherë filloi punët e saj për të ndryshuar gjithë RTSH-në, që sa kishte nisur të ngrihej dhe emisionet realisht kanë qenë shumë të suksesshme.”
“Është bërë një luftë, njeri me bipolar se ajo… nuk di. Tashmë ka ardhur momenti që të reagojnë të gjithë. Po reagoj dhe unë,” tha Krisa duke iu referuar vazhdës së gjatë të ish-gazetarëve dhe moderatorëve që kanë punuar në RTSH dhe u janë pezulluar emisionet pa arsye nga drejtoresha aktuale.
Për Krisën, largimi nga RTSH nuk erdhi vetëm si pasojë e një oferte të re, por si një vendim për të mbrojtur veten.
“Një nga arsyet pse jam larguar nga RTSH, përveç Big-ut që më dha ofertën, ishte sepse ishte bërë një ambient toksik. Një ambient ku unë nuk po ndihesha më e sigurt në punën që po bëja.”
Rrëfimi i saj vijon me një gjykim të situatës aspak profesionale që ajo përjetoi:
“Nuk mund t’i heqësh njerëzit në atë lloj forme. Ka qenë një periudhë shumë e keqe për mua dhe nuk dija çfarë të bëja.”
Ajo përmendi edhe ndërhyrje të përsëritura që dëmtonin jo vetëm përgatitjet, por edhe imazhin publik:
“Aq herë na e ka kthyer datën e publikimit të programeve, sa edhe me të ftuarit u ‘fëlliqëm’. U ul çmimi, më hoqën gazetaren, ndryshojnin datat. E gjitha që të ikje vetë nga puna, jo të të pushonin, që mos të kishe arsye ta hidhje në gjyq.”
Krisa e mbylli rrëfimin me një reflektim të matur: “Më vjen shumë keq që u largova në atë lloj forme,” tha ajo. Por, shtoi me qartësi: “Më rezultoi më mirë me ofertat e reja… dhe jo, nuk do rikthehesha. Sidomos jo me atë person që është aty.”