9.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kromi, komuniteti dhe politika

    Nga Shkelqim Kecaj

    Kaloi në qetësi lajmi i ndërrimit të pronësisë së AlbChrome, operatorit ekonomik më të madh shqiptar në sektorin minerar dhe të përpunimit të minerale, nga Grupi Balfin i Samir Manes te konglomerati turk Yildirim. Mbase ka qenë strategji e mirë menduar nga drejtuesit e komunikimit të kompanive që ishin palë e transaksionit më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare të këtyre viteve të fundit. Mbase zhurmuesit e përhershëm me objektiva politikë kanë mbaruar misionin e tyre dhe s’i ka mbetur më asgjë të thonë se s’kanë më as besimin që duhet.

    Unë vetë si profesionist i fushës së ekonomisë dhe ndjekës i vëmendshëm i sektorit minerar në Shqipëri po tregoj këndvështrimin tim mbi AlbChrome në këto vitet e fundit deri te tërheqja e vëmendjes nga kompanitë ndërkombëtare si Yildirim. Njerëzit kanë të drejtë të informohen për aktivitetin e kompanive shqiptare, të mësojnë për vlerat që krijohen dhe si ndikojnë në komunitet.

    Shkurt për historinë: Miniera në Bulqizë, si shumë ndërmarrje të kohës, vazhdoi të shkatërrohej gjatë viteve të para të demokracisë. Shkatërrim që kishte nisur që më parë, që në vitet 1980 ku asnjë investim nuk u bë për përmirësimin e kushteve të punës apo për arritjen zonave të reja minerare. Në 2001 iu dha për 30 vite shoqërisë italiane Darfo s.p.a. Këtë vendim e konsideroj të arsyeshëm, pasi miniera kishte nevojë për investime kritike. Më pas u pa se shteti i dalë nga komunizmi nuk kishte përvojë në kontratat koncesionare dhe, si rrjedhim, nuk zotëronte mjete për ta detyruar koncesionarin të kryejë investime. Miniera dhe industria mbeti e njëjtë si në vitet 1980.

    Pas një varg problemesh, Darfo s.p.a. ia shiti të drejtën koncesionare shoqërisë austriake DECOmetal GmbH, e cila filloi disa investime, por krejtësisht të pamjaftueshme për nevojat e vërteta të minierës. Më vonë u informova se miniera vuante nga plot probleme, por kryesori ishte se po i vinte fundi dhe jetëgjatësinë mund t’ia shtonte vetëm hapja e Pusit 9. Kjo do të thotë që shumë shpejt miniera mund të mbyllej dhe qyteti i Bulqizës do shuhej përfundimisht.

    Austriakët e nxorën në shitje kompaninë, mes presionit të rënies së çmimeve ndërkombëtare, mungesës së investimeve, si dhe keq menaxhimit. Grupi BALFIN e bleu minierën në mars 2013, pas diskutimeve të shumta.

    Balfin dhe AlbChrome: Pa eksperiencë në fushën e minierave dhe përpunimit të mineraleve Grupi i udhëhequr nga Samir Mane u tregua i hapur për të mbledhur bashkë profesionistët më të mirë të sektorit duke ja bashkëngjitur menaxherëve më të mirë që kishte ai vetë. Baki Bajraktari, drejtuesi i këshillit sindikalist të minierës ishte një ndër personat e parë që u kontaktuan dhe u bënë pjesë e këtij grupi pune. Ai kujton se në fillim kanë qenë të gjithë shumë skeptikë por me kërkesa shumë të qarta për hapjen epusit numër 9 që i siguronte jetëgjatësinë minierës dhe përmirësimin e kushteve të punës. Edhe vetë minatorët kërkonin të hapej pusi më i thellë në historinë e asaj miniere, i cili do ta shtonte me të paktën 20 vite jetëgjatësinë e minierës. Në vitin 2013 jetëgjatësia e minierës llogaritej deri në 2-3 vite. Puna filloi nën drejtimin e Luan Saliaj, një nga menaxherët e Grupit Balfin që kishte dhënë prova edhe më parë dhe inxhinierit Ndoc Uci.

    Kushtet e punës: Dëshmitarët tregojnë se gjendja pas largimit të austriakëve ishte e rëndë, madje në ambientet e saj ishte shfaqur prej kohësh hidrogjeni ndërkohë pajisjet mbrojtëse personale mungonin plotësisht. Proceset e punës nuk ishin të mekanizuara, shinat ishin të shtrembëruara dhe pa vagonë të mjaftueshëm. Sot bëhet fjalë për një situatë tjetër po ta krahasosh me 2013. Edhe nihilistët e përhershëm kërkojnë më shumë por e pohojnë se miniera ka ndryshuar aq sa nuk ka lidhje me vitin 2013. Sot janë mekanizuar pjesa më e madhe e proceseve, puna është bërë më e sigurt dhe punonjësit paguhen më mirë. Në vitin 2018 AlbChrome u auditua nga “Predictive & Safety” për nivelin e sigurisë në punë. Vlerësuesit e mirënjohur amerikanë e klasifikuan minierën si të sigurt dhe me standarde bashkëkohore.

    Padrejtësisht në shumë raste të gjitha aksidentet e ndodhura në Bulqizë i janë veshur operatorit më të madh atje, AlbChrome. Sa herë ndodhnin aksidente në minierat e tjera, pamjet televizive dhe referencat e medias merreshin nga kjo minierë. Por në atë zonë veprojnë rreth 250 licensa për nxjerrjen e kromit.

    Investimet: Sipas të dhënave të deklaruara nga institucionet publike por edhe vetë kompania, nga viti 2013 e deri në fund të vitit 2020 janë investuar mbi 67 milionë dollarë amerikanë në sektorin e shfrytëzimit të kromit dhe përpunimit të ferrokromit. Pjesa më ë madhe i përket hapjes së Pusit Numër 9 që kërkoi 20 milionë USD. Dy investimet e tjera më të mëdha janë Traverbanku i Klosit me vlerë 5 milionë USD dhe Makina Ngritëse në pusin 3, me vlerë 1.6 milionë USD. Gjithashtu u investua edhe 2.2 milionë USD në vendburimin e Qafë Buallit.

    Dua të ndalem pak te Pusi Numër 9, me kapacitet prodhimi rreth 100.000 ton mineral kromi në vit, pasi  është një nga investimet më të mëdha në industrinë minerare shqiptare, duke bërë të mundur shfrytëzimin e mbi 2 milionë tonëve rezerva gjeologjike të mineralit të kromit.

    Uzina e Ferrokromit në Burrel në vitin 2013 ishte krejtësisht e braktisur dhe një furrë jashtë funksioni. Falë një investimi prej 14 milionë USD u realizua remontin e furrës ekzistuese dhe më pas shtimin e një furre të re me teknologji moderne.

    Në uzinën e ferrokromit në Elbasan u investuan rreth 9 milionë USD për rritjen e kapacitetit prodhues dhe rreth 5.5 milionë USD janë investuar vetëm për makineri, pajisje të ndryshme dhe përmirësimin e ambientit të punës.

    Rritja e prodhimit: Në vitin 2013 Albchrome kishte në punë vetëm një furrë në të dyja uzinat dhe prodhimi ishte vetëm 24.000 ton ferrokrom në vit. Sot të dyja uzinat e lartpërmendura kanë funksionale nga dy furra secila dhe mund të prodhojnë mesatarisht mbi 70.000 ton ferrokrom në vit. Ndërkohë që vetë prodhimi i mineralit të kromit, nga 47 800 tonë në vitin 2012, arriti deri në 100 800 tonë në vitin 2020.

    Kontributi në taksa: AlbChrome është një kontribuues i rëndësishëm në buxhetin e shtetit por edhe në investimet sociale për komunitetet përreth. Kontributi i kompanisë në shtet llogaritet në 46 milionë dollarë amerikanë në formë taksash që prej vitit 2013.

    AlbChrome kishte rreth 900 punonjës në vitin 2013 ndërsa sot personeli është mbi 1030 punonjës. Kompania jep për pagat e tyre një vlerë bruto prej 10,839,300 USD në vit, ku përfshihet edhe paga e trembëdhjetë, ndërsa kontributi vjetor për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arrin shifrën 1,747,300 USD.

    AlbChrome dhe sektori minerar në Shqipëri nuk është absolutish një sipërmarrje e lehtë por ajo që ka bërë Grupi Balfin në këtë sektor do mbetet një histori suksesi. Ndonjëherë duhet të shikojmë rezultatet e arritura më shumë sesa ti vejmë veshin zhurmave që krijohen ga xhirimi bosh në vend i grupimeve politike. Duhet të vlerësojmë faktin që një industri thuajse e vdekur u ringjall dhe u ngrit në nivelet botërore duke na bërë faktor edhe në tregjet globale. Ecuria e shoqërisë të jep shpresë së edhe sektorë të tjerë mund të ngrihen dhe mund të rriten nëse menaxhohen ashtu si duhet nga njerëzit e duhur. Nëse ka një person që duhet falënderuar për ringritjen e sektorit minierat në nivelet ndërkombëtare ky është pikërisht Samir Mane, ish student i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave. Nuk e di nëse ishte thirrje e brendshme nga vitet e studimit para se të shkonte në Austri që e nxiti të merrte vendimin për të investuar aq shumë energji dhe kapitale. Ama di që ka shpëtuar një industri, ka shpëtuar një qytet dhe ka bërë “Made in Albania” me vlerë përsëri.

    Tani Albchrome do të kalojë nën menaxhimin e një grupi ndërkombëtar që ka njohuritë, eksperiencën dhe mundësitë ta çojë edhe më larg. Uroj që kjo industri e jona të vijojë të jetë një faktor i rëndësishëm ekonomik për vendin, uroj që të çohet më larg ajo që ka bërë Grupi Balfin dhe Samir Mane.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit