spot_img
spot_img

Marrëveshja për prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake, ministri Nufi takon në Romë homologun e tij italian

spot_img

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, ku u mikprit nga homologu i tij, Guido Crosseto.

Përgjatë takimit, të dyja palët ri-konfirmuan angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Ministri Nufi vuri theksin te rëndësia e partneritetit të ngushtë dhe të veçantë me Italinë, veçanërisht në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë në hapësirën Adriatiko-Joniane, në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Juglindore – rajone ku vendi ynë vijon të kontribuojë aktivisht në mbrojtjen kolektive të Aleancës.

Të dy ministrat nënvizuan se Shqipëria dhe Italia po intensifikojnë bashkëpunimin e tyre strategjik në fushën e mbrojtjes.

Ky hap pason marrëveshjen e nënshkruar mes shoqërisë shtetërore “KAYO” dhe kompanisë së mirënjohur italiane “FINCANTIERI” për prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake, një bashkëpunim që pritet të sjellë një ndikim të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve detare të Forcave tona Armatosura dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

Pjesë e bisedimeve ishte edhe forcimi i rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, veçanërisht në kuadër të Samitit të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë vitin e ardhshëm dhe ku përgatitjet kanë nisur me krijimin e Task-Forcës dhe Skuadrës Kombëtare të Organizimit të Samitit.

Lajmet e fundit