spot_img
spot_img

Media greke po e shndërron Zvërnecin në një çështje të minoritetit grek

spot_img

Një protestë kundër një projekti turistik në Zvërnec, e cila në thelb lidhet me debatin mbi investimet, mjedisin dhe të drejtat e pronës në Shqipëri, ka marrë ditët e fundit një vëmendje të pazakontë në mediat greke.

Shkak u bë reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila njoftoi se një shtetas grek ishte lënduar gjatë incidenteve të 30 majit në Zvërnec dhe se Ambasada e Greqisë në Tiranë kishte ofruar ndihmë konsullore dhe mjekësore.

Pas këtij reagimi, një sërë mediash greke nisën ta trajtojnë ngjarjen jo thjesht si një përplasje mes protestuesve dhe sigurisë private, por si një çështje që lidhet me minoritetin grek, të drejtat e pronës dhe madje edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në raportimet e publikuara gjatë 48 orëve të fundit, bie në sy një tendencë për ta zhvendosur fokusin nga debati që po zhvillohet në Shqipëri drejt një narrative ku elementi dominues bëhet identiteti etnik i njërit prej protestuesve të lënduar.

Neos Kosmos e paraqet konfliktin si një përballje mes anëtarëve të minoritetit grek dhe forcave të sigurisë, duke vendosur në qendër shqetësimet e komunitetit grek për pronat dhe karakterin historik të zonës.

Në të njëjtën linjë, Greek Reporter e përshkruan Zvërnecin si pjesë të një rajoni greqishtfolës dhe e lidh protestën me shqetësimet e minoritetit grek për pronësinë dhe zhvillimet turistike.

Ndërkohë, Greek City Times dhe vetë deklarata e diplomacisë greke e zhvendosin debatin edhe më tej, duke e lidhur incidentin me mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek, respektimin e pronës private dhe kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Edhe Kathimerini, ndonëse në një ton më institucional, e trajton ngjarjen përmes prizmit të marrëdhënieve greko-shqiptare dhe të reagimit të Athinës, duke e vendosur theksin te qytetari grek i lënduar dhe te çështja e minoritetit.

Sigurisht, është legjitime që Greqia të reagojë kur një shtetas i saj përfshihet në një incident të tillë. Po aq legjitime është edhe kërkesa për një hetim të plotë dhe transparent.

Megjithatë, ajo që bie në sy është përmasa që i është dhënë ngjarjes në një pjesë të medias greke, ku protesta në Zvërnec paraqitet si një konflikt me sfond etnik dhe jo si një debat i brendshëm shqiptar mbi një projekt të diskutueshëm.

Në Shqipëri, kundërshtimet ndaj projektit janë artikuluar nga aktivistë mjedisorë, banorë lokalë dhe qytetarë me qëndrime të ndryshme politike.

Debati ka qenë i përqendruar te ndikimi mjedisor, statusi i pronave, procedurat e investimit dhe përdorimi i forcës ndaj protestuesve. Në shumë prej raportimeve greke, këto elemente kalojnë në plan të dytë, ndërsa në plan të parë vendoset narrativa e minoritetit grek.

Kjo është pikërisht pika ku realiteti fillon të deformohet. Një incident i rëndë dhe i dënueshëm, që kërkon përgjegjësi ligjore dhe institucionale, shndërrohet gradualisht në një instrument për të ushqyer një debat më të gjerë politik, i cili ka pak lidhje me thelbin e protestës së zhvilluar në Zvërnec.

Në fund, narrativa e Zvërnecit nuk mundet të transformohet sipas dëshirave nacionaliste të një shteti. Ajo mbetet thelbësisht një çështje vetëm e qytetarëve shqiptarë dhe Qeverisë së Shqipërisë… edhe kur dëshira gjetkë, mund të shfaqet e ndryshme. (AP)

Lajmet e fundit