Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ka folur mbi investimin që pritet të realizohet në Zvërnec dhe protestat që e kundërshtojnë këtë iniciativë.
Duke iu drejtuar gjithë organizatave ambientaliste që shqetësohen për fatin e flamingove në Lagunën e Nartës, Ismailaj tha se deri në vitin 2012, zona jo vetëm që nuk kishte flamingo e pelikanë, por nuk kishte as peshk.
Kjo sipas ministres, për shkak të politikave të gabuara të qeverisë së kohës për mjedisin, por edhe për shkak të peshkimit duke përdorur dinamit.
Ismailaj shtoi se u desh 12 vite punë e qeverisë socialiste që biodiversiteti në atë zonë të pasurohej dhe sipas saj, as nuk duhet menduar se investimi që pritet të kryhet në Zvërnec, do të ‘godasë’ florën dhe faunën.
“Më ka bërë përshtypje fakti i ambientalistëve, që vijnë e protestojnë se po i rrezikojmë ne flamingot. Tani unë jam nga Vlora. Në Vlorë deri në vitin 2012 gjuhej peshku me dinamit. Ku ishin këta ambientalistët?
Në Vlorë deri në vitin 2012 s’kishte peshk më të mbetur, sepse dinamiti largonte peshqit dhe speciet e tjera, përpos shkatërrimit të gjithë florës e faunës në det.
Ambientalistët që kjo laguna që ne flasim sot dhe jemi duke kërkuar që mos të vrasë qeveria këto flamingot dhe pelikanët, kokërr flamingo s’kishte në atë kohë. Janë dashur 12 vite nisma që ne të arrijmë në atë diversitet që është sot”, tha mes të tjerash ministrja Ismailaj.
Ajo tha se të pengosh ardhjen e një projekti të tillë (referuar investimit që pritet të realizohet në Zvërnec), duhet të jesh shumë anti-shqiptar.
Kjo pasi sipas ministres, ai investim do të sjellë njohje më të gjerë të Shqipërisë në elitën e vendeve turistike dhe do të krijojë mijëra vende pune për popullin vlonjat.



