I ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ish-banori i Big Brother VIP, Miri, ka ndarë detaje nga eksperienca e tij në reality show-n më të ndjekur në Shqipëri, duke folur hapur për atmosferën brenda shtëpisë, raportet me ish-banorët dhe mënyrën se si është perceptuar nga publiku pas daljes.
Sipas tij, pjesëmarrja në Big Brother VIP i dha mundësinë që publiku të njihte anën e tij reale, larg paragjykimeve dhe imazheve të krijuara më herët.
“Publiku me këtë rrugëtim më njohu siç jam në jetën reale. Jo shumë njerëz më njohin në jetën reale”, u shpreh ai.
Teksa komentoi mungesën e humorit që shumë ndjekës prisnin të shihnin prej tij, Miri theksoi se atmosfera brenda shtëpisë shpeshherë ishte e vështirë dhe e ngarkuar.
“Ambienti ishte toksik në atë shtëpi. Shumë banorë nuk njiheshin dhe e shihnin njëri-tjetrin si rivalë. Jam paragjykuar atje. Më kanë thënë që po fiton sepse je ‘West Side Family’”, deklaroi ai.
Miri foli edhe për marrëdhëniet që ka ruajtur pas përfundimit të spektaklit, duke treguar se vazhdon të ketë kontakte të afërta me disa prej ish-banorëve.
“Jam takuar me Edisën, e kam motër, me Alesionin, Markon, Juelën dhe Livian. Me Rogertin s’jam takuar. Ai po shijon jetën. Jemi përshëndetur rastësisht në rrugë dhe kemi folur vetëm kaq”, tha ai.
Në fund, ish-banori zbuloi se hyrja në Big Brother VIP nuk ishte aspak ashtu siç e kishte imagjinuar para nisjes së aventurës.
“Kam hyrë në Big Brother me 8 milion plane, por kur u hap ajo derë, gjithçka u zerua”, përfundoi Miri.



