15.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Nuk është çudi që në Shqipëri nafta të shkojë edhe 250 lekë për liter

    Çmimet e naftës janë rritur për herë të dytë brenda një kohe të shkurtër si reflektim i situatës në tregjet europiane pas pushtimit rus të Ukrainës.

    Nga 192 deri në 194 lekë që tregtohej para disa ditësh, çmimi i naftës sot(3 mars) në pikën e karburantit “Kastrati” që është operatori më i madh në vend, ka arritur në 200 lekë për litër ndërsa në pika të tjera shitjesh po tregtohet me 199 lekë.

    Operatorët nga tregu pohojnë se situata ka ardhur tërësisht nga kriza e Ukrainës teksa Rusia është një nga furnitorët më të mëdha të naftës në botë.

    Importuesit shqiptarë tashmë janë më të shqetësuar për sigurinë e furnizimit se sa për çmimet e naftës dhe paralajmërojnë se çmimet do të rriten më tej.

    Luigj Aliaj, nga “Shoqata e Hidrokarbureve” pohon se rezervat e sigurisë janë të mjaftueshme vetëm për 4 muaj dhe se furnizimet do të varen nga ecuria e mëtejshme e luftës.

    “Sot që çmimi në tregjet ndërkombëtare shënoi nivelin e 118 dollarëve për fuçi e cila është niveli më i lartë i nëntë viteve, nafta në vendin tonë duhet të ishte tregtuar 220 lekë për litër.

    Çdo veprim në terrenin luftarak ruso-ukrainas do të afektojë ndjeshëm edhe tregun e naftës në Shqipëri.

    Duke parë ecurinë e situatës nuk do të jetë fare habi që çmimi i naftës në vendin tonë brenda marsit të shkojë 250 lekë. Do të jetë shumë e pritshme”, tha ai.

    Vitin e shkuar ne importuam 12% të sasive të naftës nga Rusia dhe rreth 15% nga Italia e cila gjithashtu e importon nga Rusia por thjesht e përpunon në rafinerinë e saj.

    Për janarin,importi i naftës në vlerë shënoi një rritje me 21% e cila i dedikohej tërësisht rritjes së çmimeve.

    Ecuria e çmimeve të naftës në vend

    Nafta u rrit për herë të parë në fillim të muajit shkurt jo vetëm nga shtrenjtimi i saj në bursa por edhe nga zbatimi i taksës së re.

    Që nga viti i shkuar, çmimi i naftës është rritur tetë herë ku që nga pandemia kur nafta arriti nivelin më të ulët prej 148 lekësh, është rritur me rreth 34% ose 50 lekë për litër.

    Rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë.

    Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.

    Çmimet e naftës në botë

    Çmimi i naftës të papërpunuar Brent arriti të enjten me 118 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në nëntë vite, pasi konflikti i  përshkallëzuar Rusi-Ukrainë dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera ndaj Moskës krijuan ndërprerje të furnizimit dhe tregtisë.

    Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën në 118.22 dollarë për fuçi në Londër, niveli më i lartë që nga shkurti i vitit 2013.

    Nafta e papërpunuar Brent, e njohur gjithashtu si London Brent, përbën më shumë se gjysmën e ofertës së tregtuar globalisht të naftës bruto në botë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit