Olta Gixhari ka komentuar për herë të parë raportin e saj me Leonora Jakupin, pas aludimeve se dyshja nuk e ndjek më njëra-tjetrën në rrjetet sociale.
E ftuar në eventin “Genesis” të Taynës, aktorja u ndal për një intervistë me “Prive by Liberta Spahiu”, ku foli mes të tjerash edhe për eksperiencën e saj si opinioniste në “Big Brother VIP Kosova”.
E pyetur nëse do ta shohim sërish në panelin e BBVK-së, Olta la të kuptohet se rikthimi mbetet një mundësi e fortë. Ajo u shpreh se ndihet e vlerësuar si nga produksioni, ashtu edhe nga publiku, duke theksuar se ka gëzuar mbështetje gjatë dy sezoneve të kaluara.
Ndërkohë, kur u pyet për Leonorën dhe mundësinë për të bashkëpunuar sërish me të në të ardhmen, Gixhari zgjodhi të japë një përgjigje pozitive, duke e vlerësuar këngëtaren me fjalë të mira.
Sipas saj, Leonora është një grua e zgjuar, e fortë dhe një artiste me shumë vlera, duke lënë të kuptohet se nuk ka asnjë rezervë për një ribashkëpunim mes tyre në ekran.



