10.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Opsioni fatal që po qarkullon, BBC: Putini mund të shpërthejë një bombë nukleare në detin mes Britanisë e Danimarkës

    Një opsion për të është të ndalojë furnizimin me gaz të Evropës, me shpresën se evropianët do të tërhiqen nga masat e ashpra. Mundësia tjetër është që të shpërthejë një armë nukleare në një vend në Detin e Veriut mes Britanisë dhe Danimarkës për të parë se çfarë do të ndodhë…

    Shumë herë Vladimir Putin, ka bërë atë që bota e cilësonte si të pamundur. Fillimisht aneksimi i Krimesë, më pas lufta në Donbas dhe tani sulmi i plotë ushtarak në Ukrainë.

    Tashmë fraza “këtë nuk do ta bënte kurrë”, nuk vlen më për Vladimir Putinin. Pyetja aktuale, jo teorike, është; A mund ta shtypë butonin e armëve nukleare?

    Presidenti i Rusisë i ka vendosur në gjendje emergjence forcat nukleare pas qëndrimit agresiv të NATO-s për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë.

    Në fjalimin kur bëri të ditur sulmin, ai paralajmëroi se “kushdo që do të ndërhyjë do të përballet me pasoja të mëdha që nuk janë parë kurrë në histori”.

    “Fjalët e Putin duken direkt kërcënim për luftë nukleare”, thotë fituesi i çmimit Nobel për Paqen, Dmitry Muratov, që është kryeredaktor i gazetës “Novaya”.

    “Në atë fjalim, Putini nuk po sillej si shefi i Kremlinit, por si shefi i planetit”, shton ai.

    Në një dokumentar të vitit 2018, Putin komentonte se “nëse dikush vendos të asgjësojë Rusinë, ne kemi të drejtën ligjore për t’u përgjigjur”.

    “Po, do të ishte një katastrofë për njerëzimin dhe për botën. Por, unë jam qytetar i Rusisë dhe kreu i shtetit të saj. Çfarë na duhet një botë pa Rusinë?”, deklaronte Putin.

    Pas nisjes së luftës në Ukrainë dhe rezistencës që po has për ta pushtuar, sanksionet e Perëndimit kanë vënë në dyshim ekzistencën e sistemit të Putinit.

    “Putin është në situatë të vështirë” thotë analisti për sigurinë me bazë në Moskë, Pavel Felgenhauer.

    “Ai nuk ka shumë opsione në tavolinë. Ngrirja e aseteve nga perëndimi për Bankën Qendrore ruse bën që sistemi financiar rus të mos funksionojë”, shton ai.

    Një opsion për të është të ndalojë furnizimin me gaz të Evropës, me shpresën se evropianët do të tërhiqen nga masat e ashpra.

    Mundësia tjetër është që të shpërthejë një armë nukleare në një vend në Detin e Veriut mes Britanisë dhe Danimarkës për të parë se çfarë do të ndodhë më pas, thotë Felgenhauer.

    Nëse Putini zgjedh opsionin nuklear; A mundet që ndokush në rrethin e tij të ngushtë ta ndalojë?

    “Elita politike e Rusisë nuk është kurrë me popullin”, thotë fituesi i Nobelit, Muratov. “Ata gjithnjë marrin anën e sundimtarit”.

    Dhe Putin është sundimtari i gjithëpushtetshëm në Rusi. Në vendin e tij ka pak pushtete të ndara ‘checks and balances’ pasi Kremlini vendos për çdo gjë.

    “Askush nuk është gati t’i dalë kundër Putinit”, shprehet Pavel Felgenhauer. “Jemi në pozitë të vështirë”.

    Nëse Putini e fiton luftën, e ardhmja e Ukrainës si vend i pavarur do të vihet në dyshim. Nëse dështon dhe merr dëme të mëdha, kjo mund ta çojë Kremlinin në veprime të dëshpëruara.

    Marrë nga BBC

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit