spot_img
spot_img

Pacolli i përgjigjet Ramës, pas ultimatumit për Aeroportin e Vlorës

spot_img

Shoqëria MABCO Constructions S.A. ka reaguar ndaj ultimatumit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen brenda 30 ditësh të konfliktit mes ortakëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke deklaruar se është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces dialogu apo ndërmjetësimi, por duke theksuar se çdo diskutim duhet të nisë nga zbatimi i vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë.

Në një deklaratë publike, MABCO shprehet se mirëpret çdo iniciativë institucionale që synon rikthimin e normalitetit në funksionimin e shoqërisë koncesionare dhe përfundimin e projektit të aeroportit, të cilin e konsideron me rëndësi strategjike për vendin.

Kompania thekson se vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë pak ditë më parë, ka rrëzuar masat e sigurimit që kufizonin ushtrimin e të drejtave të saj si ortak mazhoritar në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), duke rikthyer situatën juridike sipas strukturës aktuale të pronësisë. Sipas MABCO-s, kompania vijon të mbetet zotëruese e 98 për qind të kuotave të VIA-s dhe ky status duhet të jetë baza mbi të cilën do të ndërtohet çdo proces i mëtejshëm institucional apo negociues.

“MABCO shpreh gatishmërinë e plotë për të marrë pjesë në çdo proces dialogu, koordinimi apo ndërmjetësimi të iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, kompania rendit disa kushte që i konsideron thelbësore për suksesin e këtij procesi. Mes tyre janë respektimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Lartë, garantimi i aksesit të pakufizuar të përfaqësuesve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të saj në kantier, si dhe mundësimi i aksesit në informacionin teknik, administrativ dhe financiar të projektit.

MABCO njofton gjithashtu se ka nisur hapat për rikthimin e normalitetit korporativ në VIA, duke thirrur organet vendimmarrëse të shoqërisë sipas statutit dhe legjislacionit shqiptar.

Deklarata vjen një ditë pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u kërkoi zyrtarisht MABCO-s dhe 2A Group të nisin një proces të përbashkët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, duke paralajmëruar se në rast dështimi të dialogut brenda 30 ditëve, shteti do të ushtrojë të gjitha të drejtat që i njeh kontrata e koncesionit dhe legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e interesit publik.

Në fund të reagimit të saj, MABCO deklaron se mbetet e përkushtuar ndaj përfundimit, certifikimit dhe vënies në operim të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa rezervon të gjitha të drejtat që rrjedhin nga kontrata e koncesionit, legjislacioni shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve.

DEKLARATA E MABCO

Në lidhje me shkresën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 4628 prot., datë 29.05.2026

MABCO Constructions S.A. ka marrë dijeni për përmbajtjen e shkresës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr. 4628 prot., datë 29.05.2026, lidhur me situatën në projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

MABCO mirëpret çdo iniciativë institucionale që synon rikthimin e normalitetit në funksionimin e shoqërisë koncesionare dhe përfundimin sa më të shpejtë të një projekti me rëndësi strategjike për Republikën e Shqipërisë.
Së pari, është e rëndësishme të theksohet se me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë janë rrëzuar masat e sigurimit që kishin kufizuar ushtrimin e të drejtave të MABCO-s si ortak mazhoritar i shoqërisë koncesionare VIA sh.p.k.

Ky vendim ka rikthyer situatën juridike në përputhje me statusin ligjor dhe korporativ të palëve dhe përbën bazën mbi të cilën duhet të ndërtohet çdo proces i mëtejshëm institucional. MABCO mbetet ortaku mazhoritar i VIA-s me 98% të kuotave, sipas të dhënave të regjistruara dhe të vlefshme ligjërisht. Çështjet e tjera që lidhen me pretendime mbi strukturën e pronësisë janë objekt i proceseve gjyqësore në vijim dhe do të trajtohen nga organet kompetente. Gjatë periudhës Tetor 2025 – Maj 2026, MABCO ka ngritur në mënyrë të vazhdueshme shqetësime pranë institucioneve shtetërore lidhur me kufizimin e ushtrimit të të drejtave të saj si ortak mazhoritar dhe pasojat që kjo situatë mund të sillte për ecurinë e projektit. Në këtë kuadër, MABCO ka depozituar dhjetëra shkresa dhe kërkesa zyrtare, me qëllim mbrojtjen e interesit të projektit dhe shmangien e vonesave të mëtejshme. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, prioriteti ynë nuk është rikthimi në debatet e së kaluarës, por rikthimi i funksionimit normal të shoqërisë koncesionare dhe përshpejtimi i të gjitha proceseve që lidhen me përfundimin, testimin, certifikimin dhe vënien në operim të aeroportit.

Në këtë kuadër, MABCO ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për rikthimin e normalitetit korporativ në VIA, përfshirë thirrjen e organeve vendimmarrëse të shoqërisë në përputhje me statutin dhe legjislacionin shqiptar në fuqi. MABCO shpreh gatishmërinë e plotë për të marrë pjesë në çdo proces dialogu, koordinimi apo ndërmjetësimi të iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim adresimin e çështjeve të mbetura pezull dhe garantimin e vijimit normal të projektit. Megjithatë, MABCO vlerëson se çdo proces i tillë duhet të mbështetet mbi disa parime themelore:

1) respektimin e plotë të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të të drejtave që burojnë prej tij;
garantimin e aksesit të plotë dhe të pakufizuar të përfaqësuesve, specialistëve, punonjësve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s në projekt;

2) mundësimin e aksesit në informacionin teknik, administrativ dhe financiar të nevojshëm për vlerësimin e gjendjes aktuale të projektit;

3) zhvillimin e proceseve të mëtejshme në përputhje me Kontratën e Koncesionit, statutin e VIA-s dhe legjislacionin shqiptar.

MABCO thekson se çdo vlerësim mbi afatet, detyrimet apo pasojat e periudhës gjatë së cilës ushtrimi i të drejtave të saj ka qenë i kufizuar duhet të bëhet në mënyrë objektive, të drejtë dhe në përputhje me rrethanat faktike dhe juridike të krijuara gjatë kësaj periudhe. MABCO mbetet e përkushtuar ndaj një qëllimi të vetëm: përfundimit me sukses të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, certifikimit të tij sipas standardeve ndërkombëtare dhe vënies në operim në interes të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Mabco Constructions S.A. rezervon të gjitha të drejtat që rrjedhin nga Kontrata e Koncesionit, legjislacioni shqiptar në fuqi, si dhe nga instrumentet ndërkombëtare të mbrojtjes së investimeve, për të kthyer pergjigjien e plotë sapo letra e publikuar në media të mbërrijë pranë nesh si komunikim zyrtar si dhe për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

MABCO Constructions S.A.

Lajmet e fundit