spot_img
spot_img

Partneriteti Shqipëri-Nju Xhersi hyn në fazë të re

spot_img

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një takim me gjeneral Brigade Yvonne L. Mays, adjutante e Përgjithshme e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim mori pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral lejtënant Arben Kingji.

Palët vlerësuan 25 vitet e partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, bashkëpunim që sipas Ministrisë së Mbrojtjes ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura shqiptare.

Gjatë bisedimeve u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha prioritare, mes tyre forcimi i Trupës së Nënoficerëve, edukimi ushtarak, rritja e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, mbështetja për funksionalitetin e plotë të Bazës Ajrore të Kuçovës, si dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s.

Ministri Nufi vlerësoi veçanërisht mbështetjen e Gardës Kombëtare të Nju Xhersit në ngritjen profesionale të Trupës së Nënoficerëve përmes programeve të trajnimit, mentorimit dhe shkëmbimit të përvojave.

“25 vite partneritet kanë dhënë një kontribut me rëndësi në modernizimin e Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Nufi.

Palët diskutuan gjithashtu mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje, në përputhje me angazhimet e vendeve anëtare të NATO-s.

Takimi konfirmoi vullnetin për të zgjeruar më tej bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, në funksion të forcimit të sigurisë rajonale dhe euroatlantike.

Në përfundim të vizitës, ministri Nufi i akordoi gjeneral Brigade Yvonne L. Mays “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ushtarake mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e kapaciteteve të Forcave të Armatosura shqiptare.

Lajmet e fundit