Ditën e shenjtë të Kurban Bajramit, një postim prekës në rrjetet sociale ka emocionuar ndjekësit dhe miqtë e familjes së këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi.
Bashkëshortja e tij, Selvija, publikoi një fotografi të vogëlushit Roel, i veshur me të bardha, ndërsa buzëqeshja e tij e ëmbël shoqërohej me një mesazh tepër emocional: “Përqafimi më i madh për babin në qiell”.
Përmes këtij postimi, Selvija përcolli edhe urimet e saj për të gjithë besimtarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke ndarë fjalë plot dashuri, mall dhe ndjenjë.

Fotografia dhe mesazhi prekës u pritën me reagime të shumta nga ndjekësit, të cilët shprehën mbështetje dhe ngushëllime për Selvijen dhe Roelin e vogël. Shumë prej tyre komentuan me fjalë zemre, duke e cilësuar postimin si një nga momentet më emocionale të kësaj feste.



