21.5 C
Tirana
E mërkurë, 22 Maj, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    PRAPASKENAT/ Takimi i Veliajt me ekspertët, kryebashkiaku vuri në dukje parregullsitë: Çfarë i tha Dukes ballë për ballë

    Ekspertët e UEFA-s për monitorimin e zgjedhjeve në FSHF janë takuar mbrëmjen e së mërkurës me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

    Ky i fundit, në cilësinë e aksionarit të Klubit “Tirana” (bashkia zotëron 34% të aksioneve), ka denoncuar gjatë javëve të fundit shkeljet e vazhdueshme që janë bërë në zgjedhjet e shoqatave rajonale, por edhe shkelje të tjera që kanë të bëjnë me ndryshimin e destinacionit të parave të akorduara nga FIFA si ndihmë gjatë pandemisë për futbollin shqiptar. Në takim mësohet se ka marrë pjesë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

    PRAPASKENAT

    Veliaj fillimisht ka dëgjuar pretendimet e ekspertëve, të cilët kanë vënë në dukje ankesat që kanë marrë nga FSHF për ndërhyrje nga palë të treta. Më pas, Veliaj ka renditur një mori shkeljesh që janë kryer nga funksionarët e FSHF-së dhe u ka paraqitur një raport të plotë për gjithçka që nuk ka funksionuar në procesin e përzgjedhjes së delegatëve.

    Kryebashkiaku i Tiranës ka sqaruar ekspertët e UEFA-s për konfliktin e interesit që ka Duka në shumë raste, pasi shpesh nuk dihet se ku nisin interesat e futbollit shqiptar e ku përfundojnë ato të bizneseve të tij dhe të të tjerëve që e mbështesin atë. Ai ka vënë në dukje mungesën e gjykatës së arbitrazhit sportiv në Shqipëri (KAS), pengesë për krijimin e të cilit është bërë pikërisht FSHF-ja, e cila e ka çuar çështjen në Lozanë. Në diskutimet mes palëve Duka ka kërkuar që përkthimin ta krye-jë një prej personave që e sho-qëronin, por mësohet se Veliaj ka refuzuar.

    “Ky që keni ju nuk është përkthyesi zyrtar i FSHF-së zotëri, ky është avokati juaj. Ju lutem, nëse doni të jemi korrekt me gjithçka, le të përkthejë ai që morët me Ceferinin. Unë jam shumë OK me anglishten, por meqë doni përkthyes, atëherë vendosuni ekspertëve të UEFAS-s një përkthyes serioz, jo avokatin tuaj”, mësohet t’i ketë thënë Veliaj gjatë diskutimit Dukës.

    Takimi është mbyllur me zotimin e ekspertëve të UEFA-s se do të marrin në konsideratë çdo detaj, ndërkohë nga ana tjetër, Veliaj u ka premtuar se nuk do të ndalet deri sa të ketë transparence të plotë në FSHF dhe në futbollin shqiptar.

    PËRPLASJET

    Anulimi i zgjedhjeve për president vjen pak ditë pasi gjykata e Tiranës vendosi të mos njohë zgjedhjet në shoqatën rajonale të futbollit të kryera nga federata, ndërsa më pas shpalli të ligjshme asamblenë e thirrur nga Erion Veliaj, ku kryetar u zgjodh Eduard Prodani.

    Nga ana tjetër, FSHF-ja thotë se nuk i njeh vendimet e Gjykatës së Tiranës, duke këmbëngulur se zgjedhjet e 2 marsit për president, por edhe asambleja e shoqatës së Tiranës ku kryetar u zgjodh Krenar Alimehmeti janë të vlefshme.

    Në fakt, Erion Veliaj në padinë e tij pretendon se Duka ka manipuluar procesin vetëm që të fitojë mandatin e radhës. Përplasjet mes tyre kanë vijuar prej shumë javësh, ndërsa duket se Veliaj ka gjykatën në anën e tij në këtë betejë ligjore.

    Po përkundër të dy pretendimeve, Duka duket i vendosur për ta çuar në fund procesin, pasi ai është i bindur që mundet ta fitojë garën.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit