14 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse komentet në videon e Arjan Konomit janë të tepruara?

    Arjan Konomi publikoi një video në TikTok, ku ndante momente nga takimi i tij me z. Shane Sali, kryetar i bashkisë Shepparton, Victoria, Australi, megjithatë jemi të bindur se nuk i priste komentet e shumta që gëluan.

    Duke lexuar komentet, na erdhi në mend një shprehje: “Interneti s’është i egër, është i domosdoshëm. Të egër dhe të lig e bëjnë njerëzit” dhe në fakt, njerëz të ndryshëm kishin qindra teori për pamjen e Arjanit, duke përmendur vendimin e tij për të mbajtur flokët të thinjur, ngjyrën e lëkurës, nëse vuan nga ndonjë sëmundje, teorinë konspirative e një klonimi, ose të dikujt “që mund ta ketë ngrënë” gazetarin.

    Komentet ishin të shumta dhe ju mund t’i lexoni në videon e mësipërme, por ç’duhet të dini para se t’i lexoni apo edhe komentoni nëpër videot e Arjanit, apo të kujtdo që zgjedh të publikojë momente të ndryshme në llogarinë personale?

    E para, nuk duhet të komentohen kurrë, por kurrë ama dhe as të aludohet se një person vuan nga një sëmundje e caktuar. Edhe nëse është e vërtetë (urojmë shumë që jo), personi, Arjani apo kushdo qoftë, nuk e ka pranuar publikisht. Edhe në rastet kur e pranon, sërish, sektori i komenteve dhe as mesazhet nuk janë vendi ideal për të shprehur mendimet tuaja për një situatë të tillë, sepse:

    Askujt nuk i intereson mendimi juaj.

    Pavarësisht qëllimit tuaj, duket dashakeqësi.

    E dyta, thinjat janë aty për shkak të një procesi tejet natyral, i cili u ndodh njësoj burrave dhe grave. Nuk e dimë pse njerëzve u bëri kaq shumë përshtypje dhe u çuditën nga flokët gri të Arjanit, kur është gjëja më normale në botë. Arjani mund të ketë marrë vendimin t’i mbajë në këtë mënyrë flokët dhe për aq kohë sa nuk cenon askënd, është mëse normale.

    E treta, seriozisht po komentojmë ngjyrën dhe “zbehtësinë” e lëkurës së dikujt? Arsyet pse dikush mund të jetë i zbehtë janë totalisht të ndryshme dhe duke qenë se janë kaq të shumta në numër, përjashtojnë mendimin e parë: “Ua, e zeza, mos ka ndonjë sëmundje”.

    E katërta, shakatë e tipit: “Uaa, paska udhëtuar me makinën e kohës deri në Australi”, “Arjanin e paskan klonuar”, apo “Paskan kaluar 30 vite që kur e pamë për herë të fundit” janë të pavenda. Hapësira e komenteve, edhe pse është e lejueshme për të gjithë dhe nuk bën një filtër të caktuar, sërish, nuk është “ditari personal” ku komentuesit mund të shkruajnë ç’u vjen në mendje, pa konsideruar ndikimin që një koment ka te personi që ka publikuar videon.

    Pra, nisur nga rasti i Arjanit, i cili mund të jetë shumë rehat me flokët, lëkurën dhe pamjen e tij, ndoshta duhet t’i vijë fundi epokës “jemi cool në internet nëse aludojmë mbi dikë”. Jo, s’jeni cool, jo s’keni për të qenë kurrë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit