Ministria e Shëndetësisë ka rregulluar për herë të parë me ligj trajtimin shëndetësor publik për personat transgjinorë në Shqipëri, duke mundësuar ofrimin e terapisë hormonale në QSUT. Përmes një udhëzimi të ri, janë përcaktuar të gjitha kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe protokollet e monitorimit, ku kostot e trajtimit do të mbulohen nga fondet publike.
Ky shërbim do të jetë i disponueshëm për të rriturit dhe për adoleshentët mbi 16 vjeç, nëse ka një vlerësim pozitiv nga mjekët specialistë dhe miratimin e familjes. Ky vendim vjen si një zgjidhje ndaj situatës së deritanishme, ku për shkak të mungesës së kujdesit institucional dhe kuadrit ligjor, shumë transgjinorë shqiptarë detyroheshin ta merrnin këtë terapi jashtë vendit ose në mënyrë informale nëpër farmaci, duke u përballur me kosto të larta dhe rreziqe serioze për shëndetin nga mungesa e monitorimit mjekësor.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar më 28 prill dhe i firmosur nga zv.ministrja Eugena Tomnini, synon të zgjidhë këtë problematikë duke u mundësuar individëve transgjinorë përshtatjen e trupit me identitetin e tyre gjinor përmes terapisë hormonale.
Sa i përket kufirit moshore, udhëzimi përcakton se trajtimi standard mund të nisë në moshën 16-vjeçare, ndërsa në raste specifike dhe vetëm pas një vlerësimi rreptësisht të specializuar, ai mund të konsiderohet që nga mosha 14 vjeç.
“Koha varet nga pjekuria njohëse e adoleshentit dhe aftësia e tij për të kuptuar dhe pranuar efektet potencialisht të pakthyeshme të trajtimit. Vlerësimi i kësaj është kompleks dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të adoleshentit, familjes së tij dhe ekipit të trajtimit. Duhet gjithashtu të merren parasysh ndikimet e mundshme të trajtimit në shëndetin dhe funksionimin social të fëmijës”, thuhet në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë.




