20.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rama e ministrat në terren për të shpjeguar çmimet, ndërsa protestat po shuhen

    Kryeministri Edi Rama, pasi la administratën shtetërore dhe shkollat 4 ditë pushime, dje bashkë me ministrat dhe deputetët zbriti në terren për të sqaruar rritjen e çmimeve.

    Një pjesë e kabinetit qeveritar u shpërnda nëpër rrethe, ndërkohë që vetë Kryeministri hyri në marketet e lagjeve në Tiranë jo si blerës, por pa nga afër luhatjen e çmimeve. Pasi vuri nën kontroll çmimin e naftës, tashmë synon moslejimin e abuzimit me çmimet e ushqimeve të shportës.

    Rama kontrolloi disa markete dhe furra buke në kryeqytet, i shoqëruar nga ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Gjatë vizitës mbikëqyrëse, Rama u shpreh se e rëndësishme është që ushqimi bazë të jetë në një nivel të arsyeshëm. Sipas kreut të qeverisë, marzhi i fitimit në këto momente duhet të jetë superminimal. Rama u shpreh se në këtë situatë nuk duhet që të ketë abuzime në treg dhe se çmimet e produkteve duhet që të mos fusin në vështirësi as bizneset dhe as qytetarët. Kreu i qeverisë përmendi se në kuadër të kësaj situate të krijuar për shkak të ngritjes së çmimeve, do të ndëshkohet çdo abuzim me çmimet përtej asaj që vendos Bordi i Administrimit.

    “Kjo është një fazë vështirësie për të gjithë, pavarësisht se këtu tendenca është që t’u hidhet faji furnizuesve, prodhuesve e tregtarëve. Jemi pak në atë frymën antikapitaliste në këto momente. Por duhen mirëkuptuar njerëzit që kanë këtë stres. Por ajo që ne duhet të bëjmë është të mos lejojmë abuzimet sa të mundemi. Çmimet duhet të jenë të tilla që edhe ju të mos futeni në vështirësi, por të nxirrni një minimum fitimi që ju duhet për të vazhduar në këtë periudhë. Jo për të shfrytëzuar rastin për të nxjerrë më shumë fitime sesa në kohë normale. Duhet të jeni shumë solidarë që të mos përfitoni në kurriz të njerëzve që këto i kanë bazë”, deklaroi z. Rama. Duke folur për lehtësitë fiskale për biznesin e vogël, Kryeministri përmendi se “ai nuk ka taksa dhe TVSH”.

    “Ju jeni biznes i vogël, nuk keni taksa dhe as TVSH. Nuk duam të ngarkoheni me taksa. Nuk mund t’ju rrisim taksat në këtë fazë, është diçka që nuk mund ta bëjmë. Tani ju takon edhe juve që të jeni maksimalisht të vëmendshëm që njerëzit të marrin atë që iu takon. Ju jeni model këtu”, deklaroi Rama. Teksa takoi administratorin e një marketi, Kryeministri i tha atij se marzhi i fitimit nga bizneset në këto momente krize duhet të jetë superminimal.

    “Çmimet duhet të jenë të tilla, por jo për të shfrytëzuar rastin për të rritur çmimet. Është rritur sërish çmimi i karburantit në bursë. Këto janë gjëra që ne nuk i frenojmë dot. T’ju rrisim taksat në këtë fazë është diçka që nuk duam ta bëjmë dhe kemi marrë përsipër që në biznesin e vogël të ketë zero taksa. Ne nuk duam në asnjë mënyrë që kriza të reflektohet në biznesin e vogël. Ajo që kërkojmë ne është që njerëzit kur blejnë, të mos ketë hile”, deklaroi Edi Rama. Për të kontrolluar abuzimet dhe çmimet me ushqimet e shportës, qeveria ka krijuar një Bord, sikurse bëri edhe për çmimet e karburanteve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit