14.5 C
Tirana
E premte, 14 Mars, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “Romët nuk bëhen deputetë”

    Nga Ina Majko*

    E kam dëgjuar këtë fjali shumë herë. Si një e vërtetë e pashkruar, si një kufi i vendosur pa fjalë. Në shkollë, në institucione, në çdo hap të jetës, romët janë parë më shumë si spektatorë sesa si pjesë e vendimmarrjes. Dhe për shumë vite, edhe unë e besova.

    Por sot, e them me zë të lartë: Jam e para rome që kandidoj për deputete në Shqipëri.

    Po hyj në një garë ku askush nuk na ka parë si pjesë, në një sistem që rrallë ka llogaritur zërin tonë. Jo për t’i provuar dikujt diçka, por sepse besoj që politika nuk mund të jetë vetëm për disa. Sepse fëmijët romë meritojnë të shohin dikë që u ngjan atyre, dikë që flet për ta, dikë që e di çfarë do të thotë të luftosh për të pasur të drejtat që të tjerët i marrin si të mirëqena.

    E di që nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë nga ata që do të thonë se një rome nuk mund të ndryshojë dot asgjë. Por e di edhe që në çdo hap të kësaj rrugë nuk do të jem vetëm. Sepse unë nuk po garoj vetëm për veten time – po garoj për çdo rom dhe rome që ka ëndërruar një jetë më të drejtë.

    Ky është vetëm fillimi. Sot po hap një derë, që nesër të mos mbetet asnjëherë e mbyllur.

    Një falënderim i madh për ata që besuan tek unë dhe e bënë këtë të mundur: Kryeministrin Edi Rama dhe Bledi Çuçin, drejtuesin e qarkut Vlorë.

    Mbështetja dhe vizioni i tyre për një Shqipëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse më dhanë forcën dhe mundësinë për të ndërmarrë këtë hap historik.

    *Kandidate e PS-se ne Qarkun e Vlores

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit