Kush ka jetuar në Tiranë në fillim të viteve ’90, e di mirë historinë e gropës së Hajdin Sejdisë, e hapur në mes të Tiranës, mu prapa godinës së Teatrit dhe Operas.
Në vitin 1991, biznesmeni nga Peja dhe me banim në Zvicër, Ajdin Sejdia, mori të drejtën nga qeveria “Nano” për të ndërtuar një godinë gjigande 50-katëshe në lulishten pas Teatrit të Operas.
Sejdia arriti të hapë vetëm një gropë gjigande, ndërkohë që godina mbeti në letër.
Godina nuk u ndërtua kurrë, ndërkohë që gropa hyri në historinë e kryeqytetit, si gjëja më e shëmtuar që i kishte ndodhur Tiranës.
Kjo, pasi nga një projekt ambicioz, ajo u kthye në një gropë gjigande, ku njerëzit hidhnin plehra.
Vetëm në vitin 2012, gropa u mbyll dhe u bë lulishte, ku kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha.
Basha deklaroi në atë kohë se do të kompensoheshin pronarët dhe hapësira e gjelbër do të ishte në funksion të qytetarëve.
Për 10 vitet, deri në vitin 2022, zona pas Teatrit të Operas qëndroi një lulishte e madhe, pranë qendrës së Tiranës.
Në tetor të 2022, u vendos që aty të ndërtohet një kullë gjigande me emrin “Mali i Tiranës”.
Bëhet fjalë për një kullë të lartë 58 kate dhe 7 kate nëntokësore.
Subjekti që ka marrë përsipër ndërtimin e kullës 58 kate është “Nova Construction 2012”.
Kompania është krijuar në vitin 2012 dhe zotërohet nga Kujtim Shtufi dhe Ilir Shtufi.
Shoqëria “Nova Construction 2012” rezulton që ka përfituar leje ndërtimi të tjera, në zonat pranë qendrës së Tiranës.
Tashmë ajo është rrethuar dhe aty është hapur një gropë e madhe!
Por duket se do të mbetet sërish ashtu, si në kohën e Hajdin Sejdisë.
Kjo, pas aksionit të sotëm të SPAK, që çoi në pranga një prej investitorëve të kësaj kulle, Ilir Shtufi.
Ky i fundit akuzohet se pastronte paratë e trafikantëve të drogës me kullat që ndërtonte.



