spot_img
spot_img

Trajtimi me hormone i transgjinorëve ndez debatin në Shqipëri

spot_img

Pas miratimit të kritereve mjekësore, procedurave klinike dhe monitorimin e terapive hormonale për transgjinorët nga Ministria e Shëndetësisë, e cila do të mbulohet nga fondet publike, në rrjet kanë shpërthyer kritikat.

Një nga reeagimet më të ashpra ka qenë ai i avokatit Genc Sejko i cili shkruan:

“Nëse je me kancer në testikuj, qeveria nuk të ndihmon dot se nuk ka lekë për terapi. Nëse do t’i heqësh fare sepse brenda vetes ndihesh si grua, qeveria i gjen lekët”.

Kundër vendimit për terapinë hormonale të transgjinorëve, ka reaguar dhe pastori Akil Pano.

Pastori thekson se i gjithë problemi i vendimit qëndron në faktin se këtu do të përfshihen dhe fëmijët e moshave 14 e 16 vjeç. Më tej, Pano shton se përmes këtij vendimi po transformohet kultura jonë kombëtare.

“Njëri nga efektet që shoqëron ligjin e barazisë gjinore është terapia hormonale që përgatit ndërhyrjet kirurgjikale për tranzicionin e një individi i cili shpall veten transgjinor. Problemi këtu është fakti që preken të miturit.

Se nëse bëhet fjalë për një person ta zëmë që është më shumë se 18 që janë maxhorenë, nuk kemi çfarë themi. Për aq kohë sa këtu preken fëmijët, 16 dhe 14 vjeçarët tanë atëherë ky është një alarm i madh për shoqërinë shqiptare. Është dicka që nuk është thjesht një element. këto janë ligjet e ekstremit të majtë që synon të transformojë kulturën kombëtare atë që ne e njohim si traditë, nder të familjes” tha Akil Pano.

Ndërsa gazetarja Ermelinda Hoxhaj shprehet:

“Shendetesise sone i mungojne shume gjera: ilaçet, kushtet, trajtimi dinjitoz per pacientet. Por duket se prioritet u be terapia hormonale per adoleshentet.  Nje i ri ne ate moshe ende formon identitetin, mendimet dhe veten.

Po nese pas disa kohesh ndryshon mendim, pasojat jane te pakthyeshme. Trupi, shendeti fizik dhe ai psikologjik mund te preken pergjithmone. Ne vend qe te investohet te mbeshtetja psikologjike, edukimi dhe kujdesi afatgjatë per te rinjte, po normalizohet nje trajtim me pasoja serioze.

Kjo nuk eshte urrejtje ndaj askujt; eshte frike dhe shqetesim per politika dhe vendime qe mund te ndryshojne jeten e nje adoleshenti pergjithmone. Ku dreqin po shkon ky vend?!”.

Sipas udhëzimit të publikuar një ditë më parë, trajtimi do të ofrohet si për të rriturit, ashtu edhe për adoleshentët nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç, bazuar në vlerësimin e specialistëve dhe miratimin e familjes.

Në vendim theksohet se terapia hormonale do të jetë e aksesueshme për burrat transgjinorë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore përmes estrogjenit dhe antiandrogjenëve.

Ministria argumentoi se ky vendim vjen si një përpjekje për të shmangur trajtimet informale dhe mungesën e monitorimit mjekësor, situatë me të cilën janë përballur deri më tani shumë persona transgjinorë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini ka sqaruar ditën e sotme udhëzuesi mbi trajtimin hormonal përbën një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik.

Në një prononcim të bërë ditën e sotme, Tomini sqaron se udhëzuesi është hartuar mbi bazën e praktikave dhe rekomandimeve ndërkombëtare, si edhe të vlerësimit të një ekipi multidisiplinar specialistësh.

Më tej zv.ministrja thekson se udhëzuesi i referohet vetëm adultëve të këtij target grupi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe mbi bazën e konsentit individual të informuar.

Lajmet e fundit