spot_img
spot_img

Tronditet Maliqi: Ish-ushtaraku i shpallur në kërkim që jetonte në pyll vetëm me nënën, vret një polici dhe plagos një tjetër

spot_img

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Maliqin këtë mëngjes, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagos një tjetër pas një operacioni për kapjen e personave në kërkim.

Punonjësi i policisë që ka humbur jetën në krye të detyrës quhet Enea Mekolli, ndërsa punonjësi i policisë që u plagos është Edison Adri, i cili po transportohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.

Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është Violant Bacellari, një ish-ushtarak i shpallur prej vitesh në kërkim nga autoritetet dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë.

Burimet bëjnë me dije se ai është kapur i plagosur pas ngjarjes.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur forcat e policisë, pjesë e forcave “Shqiponja”, po zhvillonin një operacion për kapjen e Bacellarit në zonën e thellë malore të Bodës.

Gjatë afrimit pranë një stani ku ai qëndronte, autori ka konstatuar lëvizjet e efektivëve dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre.

Si pasojë e të shtënave, Enea Mekolli humbi jetën në vend, ndërsa Edison Adri mbeti i plagosur.

Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm në Lozhan të Maliqit jetonte vetëm me nënën e tij.

43-vjeçari Violand Braçellari jetonte në pyll, pranë stanit. Ai ishte një ish-ushtarak, i rrezikshëm për banorët e zonës dhe në kërkim nga policia e Vlorës për kultivim narkotikësh.

Dyshohet se autori fshihte edhe arsenal armësh në stan dhe qëndronte gjithmonë i armatosur.

Njoftimi i policisë:

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie, nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

Lajmet e fundit