Një operacion i Krimit Ekonomik pranë Policisë së Tiranës ka zbuluar një skemë të dyshuar abuzimi me llogaritë bankare të klientëve, duke çuar në arrestimin e drejtorit, Gilbert Hoxha dhe zv.drejtorit Albin Keta të një filiali të UBA Bank në kryeqytet.
Ndërkohë gjashtë punonjës të tjerë janë vendosur në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa katër persona janë pezulluar nga detyra.
Kontrollet nisën pas denoncimeve të disa qytetarëve, klientë të bankës, të cilët konstatuan se shuma të konsiderueshme parash mungonin në llogaritë e tyre bankare.
Dyshohet se punonjësit e përfshirë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të përvetësuar fondet e klientëve përmes veprimeve të kundraligjshme.
Deri më tani, dëmi i dokumentuar nga hetuesit llogaritet në mbi 400 mijë euro.
Hetimet vijojnë për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme, pasi ekzistojnë dyshime se numri i klientëve të dëmtuar nga kjo skemë është i madh.
Burimet kanë pohuar se ka qenë vetë banka që ka bërë denoncimin pranë organeve ligjzbatuese.
Sipas policisë punonjësit nëpërmjet falsifikimit dhe ndërhyrjeve në sistemin kompjuterik, iu vodhën 2 klientëve, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën respektive, kanë falsifikuar dokumente dhe kanë ndërhyrë në sistemet bankare të 2 klientëve në bankë, për të vjedhur nga llogaritë e tyre, 309 740 euro dhe 92 000 dollarë në total”.
Policia njofton se pas kallëzimit të dy shtetasve dhe hetimeve është dhënë masa e sigurimit arrest me burg për drejtorin dhe zëvendësdrejtorin e një banke të nivelit të dytë, arrets në shtëpi për 5 punonjëse shërbimi dhe pezullim nga detyra për 4 punonjës të tjerë shërbimi të bankës.
“Në operacionin “Ërong Transaction”, pas një hetimi proaktiv rreth kallëzimeve të 2 shtetasve, kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, u ekzekutuan këto masa sigurie:
-masa “Arrest në burg”, për shtetasit A. K., 33 vjeç dhe G. H., 38 vjeç, banues në Tiranë, përkatësisht drejtor dhe zëvendësdrejtor i një filiali banke të nivelit të dytë;
-masa “Arrest në shtëpi”, për shtetaset G. B., 42 vjeçe, D. D., 24 vjeçe, O. K., 24 vjeçe, R. S., 27 vjeçe dhe Zh. B., 26 vjeçe, banuese në Tiranë, të gjitha punonjëse shërbimi në këtë bankë;
-masa “Pezullim i ushtrimit të detyrës a shërbimit publik”, për shtetasit E. Q., 47 vjeçe, I. D., 25 vjeçe, E. K., 38 vjeçe dhe B. M., 25 vjeç, banues në Tiranë, të gjithë punonjës shërbimi në të njëjtën bankë.
Në vijim, u shpall në kërkim shtetasja B. N., 25 vjeçe, gjithashtu punonjëse shërbimi, për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Punohet për kapjen e saj”, njofton Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Të arrestuarit:
Drejtori, Gilbert Hoxha
Zv.drejtori, Albin Keta
Punonjësit në arrest shtëpie:
Griselda Bana
Dorisa Doka
Oksana Kadiu
Resmije Stafa
Blerta Nelaj
Zhaklina Buçpapaj
Elona Qose
Iva Dollaku
Ensuida Keci
Bjorn Mazniku



