16.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Zyrtari i FSHF mori 740 mijë dollarë nga inceneratorët! Kompania e Arben Dervishajt u pagua për konsulencë si “supervizor i koncesionit”

    Arben Dervishaj, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), rezulton të jetë i përfshirë në skandalin e pagesave të dyshimta në çështjen e inceneratorëve në Shqipëri.

    Arben Dervishaj që njihet si një nga njerëzit më të afërt të Armand Dukës ka përfituar mbi 740 mijë dollarë ose 744 milionë lekë të vjetra për konsulencën e dhënë për inceneratorët, pronarit të kompanive Klodian Zoto.

    Paratë rezultojnë të jenë marrë në 4 vite të ndryshme, përmes 21 faturave nga 2018-2021, në shuma te ndryshme që variojnë nga 80 milionë lekë të vjetra deri në 313 milionë lekë të vjetra në vit. Emri i tij doli në skenë në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, administratorja e koncesionit të Tiranës, Arjola Kodra. Administratorja Kodra ka bërë të ditur se firma e “Integrated Energy BV SPV”, ka paguar konsulencën për kompaninë “Ave Consulting” sh.p.k.

    Kjo kompani, sipas Arjola Kodrës, është supervizore e koncesionit! “Kush është supervizor? Shoqëria ‘Ave Consulting’ sh.p.k. Autori është zoti Arben Dervishaj”, iu përgjigj Arjola Kodra pyetjeve të kryetares së këtij Komisioni, Jorida Tabaku. Arben Dervishaj është pjesë e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së prej dy mandatesh dhe njihet si një njeri i besuar i Presidentit të FSHF-së, Armando Duka.

    Faturat e paguara në adresë të Arben Dervishajt nga kompania e Inceneratorëve

    Në një hulumtim në databazën e Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania “Ave Consulting” sh.p.k., ka si administrator, Arben Devishajn e FSHF-së. Mësohet se Dervishaj si njeri i Armand Dukës dhe kompania e tij që prej vitit 2018 kanë ofruar shërbime konsulence për kompaninë që është vendosur në qendër të skandalit. Po në këtë vit, rezulton të jetë kryer dhe pagesa e parë në bazë edhe të disa faturave.

    Sipas kërkimeve në listëpagesat e Drejtorisë së Tatimeve rezulton se kompania e Arben Dervishajt që në vitin e parë ka marrë nga kompania e Klodian Zotos 5 fatura të majme. Sipas një kalkulimi të këtyre faturave të vitit 2018 rezulton se kompania e krahut të djathtë të Armand Dukës ka marrë vetëm në një vit 131 milionë lekë të vjetra për konsultim.

    Arben Dervishaj dhe pagat që ka marrë gjatë muajit prill

    Po ashtu, pagesat nga “Integrated Energy” kanë vijuar edhe në vitin 2019 më dy fatura, ku rezulton se janë paguar nga Klodian Zoto për Arben Dervishajn rreth 80 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që, viti 2020 duket se ka qenë vit “intensiv” konsultimesh, pasi në adresë të “Ave Consulting” me pronar, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë janë paguar plot 8 fatura të majme nga Klodian Zoto. Sipas regjistrit të Drejtorisë së Tatimeve, rezulton se konsultimet e Zotos në adresë të Drevishajt janë derdhur në vlerën e 313 milionë lekeve të vjetra.

    Po ashtu, duket se vit i suksesshëm konsultash ka qenë dhe 2021 ku “Ave Consulting”, rezulton të ketë marrë dhe 6 faturat e majme nga inceneratori i Klodian Zotos. Rezulton se si “dorë të fundit” konsultimesh kompania e Arben Dervishajt ka marrë 218 milionë lekë të vjetra nga inceneratori i Zotos. Sipas kalkulimeve, në total kompania e krahut të djathtë të Armand Dukës ka fituar nga inceneratori i Zotos plot 744 milionë lekë të vjetra, ose rreth 744 mijë USD.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit