Emërimi i Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) ka tërhequr vëmendjen e medias franceze të specializuar për çështjet e inteligjencës dhe diplomacisë, “Intelligence Online”.
Në një artikull të publikuar më 13 nëntor 2026, media ngre pikëpyetje mbi lidhjet e mëparshme profesionale të drejtueses së re të SHISH-it me institucione italiane dhe interesat strategjike të Romës në strukturat shqiptare të sigurisë.
Me titullin “Një aset i ri për Romën në nivelet më të larta të inteligjencës shqiptare”, publikimi francez analizon rrethanat e emërimit të Hasanit, duke vënë në fokus marrëdhëniet e saj të mëparshme me institucione italiane, në një kohë kur bashkëpunimi mes Tiranës dhe Romës po thellohet në çështje me rëndësi strategjike.
Një nga elementet konkrete që përmend “Intelligence Online” është një pagesë prej 3 834 eurosh, e kryer nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), për shërbime konsulence.
Sipas të dhënave të regjistrit publik të pagesave të këtij institucioni, transaksioni është kryer më 16 prill 2025 dhe lidhet me një faturë të vitit 2024. Ky informacion përbën një nga pikat e analizës së medias franceze mbi angazhimet profesionale të Hasanit përpara marrjes së detyrës në krye të shërbimit inteligjent shqiptar.
Artikulli e vendos këtë marrëdhënie në kontekstin e interesave të Italisë për zgjerimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, veçanërisht në fushën e migracionit. Në fokus është marrëveshja mes dy vendeve për ngritjen dhe funksionimin e strukturave në Shëngjin dhe Gjadër, një projekt i mbështetur nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe pjesë e strategjisë së Romës për menaxhimin e flukseve migratore.
Sipas këndvështrimit të paraqitur nga “Intelligence Online”, emërimi i Hasanit në krye të SHISH-it merr rëndësi edhe për shkak të interesave italiane në Shqipëri dhe bashkëpunimit mes dy vendeve në çështjet e sigurisë.
Ky zhvillim vjen në një moment delikat për Shërbimin Informativ të Shtetit, pas largimit nga detyra të drejtueses së mëparshme, Vlora Hyseni. Vëmendja e medias franceze rikthen në diskutim edhe çështjen e transparencës së marrëdhënieve profesionale që kanë pasur drejtuesit e institucioneve të sigurisë me institucione dhe organizata të huaja.
Megjithatë, publikimi i nuk përbën në vetvete provë për ndërhyrje apo ndikim të huaj në vendimmarrjen e SHISH-it, por ngre pikëpyetje mbi kontekstin e emërimit dhe marrëdhëniet e mëparshme profesionale të drejtueses së re.
Ndërkohë, pas dekretimit të Hasanit, Presidenti i Republikës deklaroi se përpara miratimit të emrit të saj kishte kryer të gjitha verifikimet e nevojshme.
Hasani zëvëndëson në këtë post Vlora Hysenin.Vlora Hyseni është nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK e ka regjistruar procedimin më 30 tetor dhe Hyseni dyshohet se ka përfituar të paktën 500 mijë euro nga Ergys Agasi përmes transfertave drejt një kompanie gjermane ku punon njëri prej vëllezërve të saj.
Paratë dyshohet se burojnë nga një tender i AKSHI-t.Provat për këto transaksione janë gjetur fillimisht në disa prova materiale të sekuestruara në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi.
Ky i fundit në qeli, në hetim nga SPAK si drejtues i një grupi kriminal që paracaktonte tenderat në institucionin e AKSHI-t.



