Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka mohuar që kryeministri Rama ta ketë kërcënuar në telefon, por tha se ai ka shprehur pakënaqësi dhe se ka patur telefonata të tensionuara, ku janë shkëmbyer fyerje reciproke.
Pjesë nga biseda në studio
Andi Bushati: Ta paraqesësh që Veliaj po bën lojë politike, kjo nuk i intereson publikut. Problemi nuk është si do të zgjidhim politikisht konfliktin Rama-Veliaj, por mendoj se interesi i publikut është me akuzën e Veliajt, a është e vërtetë, që kryeministri përdor instrumentat shtetëror, burgun, apo drejtësinë si armë të tij shtesë në një betejë politike. Ky është debati sipëror. Hullia që i intereson publikut, ka përdorim të drejtësisë dhe administratës kundër një të burgosuri, apo thjesht gënjën Veliaj, që nuk e ka për herë të parë që gënjën? Pastaj çfarë interesash politike ka Rama dhe Veliaj…
Dritan Hila: Thashë kemi një problem administrativ të Veliajt për transferimin. Pastaj kemi argumentin e luftës politike. Publikut nuk i intereson se ku e bën burgun Veliaj.
Andi Bushati: Po nëse persekutohet politikisht?
Dritan Hila: Çfarë fakte kemi?
Andi Bushati: Mua më duket skandal që kryeministri i vendit të marrë avokatin e një të burgosuri, ti thotë duhet të heqësh dorë nga klienti. Në çfarë shteti jetojmë? Nëse arrihet deri këtu, jemi më keq se diktaturë. Është e vërtetë zoti Ndreca, që Rama ka kërkuar këtë? Dhe e dyta, thoni në një intervistë që ka një bisedë para 20 ditësh, pra kjo nuk është te deklarata për Vuçiç, por daton më tej presioni i Ramës ndaj Veliajt. Këtë të zbardhni.
Plarent Ndreca: E thashë, arsyeja ose konkluzioni është kumulativ. Kam komunikim me zotin Rama, por nuk është i pari. Ka shprehur pakënaqësi. Nuk kam thënë që më ka kërcënuar.
Andi Bushati: Hiq dorë nga klienti…
Plarent Ndreca: Kam thënë që të tre telefonatat, ka qenë pakënaqësia e zotit Rama për këshillat e mia politike ndaj zotit Veliaj dhe pretendon se kam ndikuar në pavarësinë e zotit Veliaj.
Klodiana Lala: Thatë se ke patur telefonatë të tensionuar me Ramën, thatë se unë do të zgjidhja në çdo rast të bëj avokatin e zotit Veliaj. A mund të na sqarosh telefonatën e para 20 ditëve?
Plarent Ndreca: Zoti Rama ka këto pakënaqësi. Kam thënë kanë qenë telefonata të tensionuara, ka patur shkëmbime reciproke edhe fyerjesh.
Andi Bushati: Dhe presioni “hiq dorë”. Kur ju thoni mes njërit dhe tjetrit zgjedh njërin…
Plarent Ndreca: Kam thënë nëse pakënaqësia jote do të thotë për mua, ose do të mbaj karrierën politike, unë do të zgjedh interesat e atij që sot është në hall, pra zoti Veliaj.



