Ben Blushi i rikthehet debatit për Skënderbeun, këtë herë jo vetëm për të mbrojtur idenë e një filmi ndërkombëtar për heroin kombëtar, por për të treguar reagimin që kjo ide ka prodhuar te një pjesë e shqiptarëve.
Në një shkrim të titulluar “Armiqtë e Skënderbeut”, gazetari, shkrimtari dhe ish-deputeti publikon një prej mesazheve që thotë se ka marrë pas propozimit të tij për realizimin e një filmi të përmasave ndërkombëtare për Gjergj Kastriotin.
Blushi thotë se prej kohësh ka folur për ekzistencën e një grupimi shqiptarësh që e shohin Skënderbeun si armik dhe që kërkojnë të rishkruajnë identitetin dhe historinë e tij.
Madje këtë përplasje ai e kishte çuar më parë edhe në letërsi. Në romanin e tij të fundit “Jam Mysliman”, Blushi përshkruan një skenë imagjinare ku një grup islamikësh rrëzon bustin e Skënderbeut nga sheshi qendror i Tiranës.
Sipas tij, në atë kohë shumë lexues e konsideruan këtë skenë një ekzagjerim letrar, me argumentin se ishte e vështirë të besohej se mund të kishte shqiptarë që të mohonin heroin kombëtar.
Tani Blushi thotë se reagimet që ka marrë tregojnë të kundërtën. Sipas Blushit, në këto reagime Skënderbeut i mohohet përkatësia shqiptare dhe ai paraqitet si sllav, serb apo bullgar, ndërsa ata që mbrojnë figurën e tij etiketohen deri edhe si fashistë.
Për ta ilustruar këtë fenomen, Blushi ka zgjedhur të bëjë publik një prej reagimeve që mori pikërisht pas propozimit të tij për një film ndërkombëtar kushtuar Skënderbeut.
“Në disa raste kam folur për një takëm shqiptarësh që e konsiderojnë Skënderbeun armik. Madje në romanin tim të fundit Jam Mysliman përshkruaj një skenë imagjinare kur një grup islamikësh e rrëzojnë bustin e Skënderbeut nga sheshi qendror i Tiranës.
Shumë njerëz kanë menduar se ky përshkrim është ekzagjerim, sepse nuk mund të ketë shqiptarë që mohojnë heroin tonë kombëtar. Për të gjithë ata që nuk më kanë besuar po postoj një nga qindra mesazhet që marr në faqen time dhe që tregon se si po indoktrinohen një numër jo i vogël shqiptarësh të cilët duan ta ndryshojnë historinë tonë.
Ata besojnë se Skënderbeu ishte sllav, serb ose bullgar kurse ne që e mbrojmë atë jemi fashistë. Po ju prezantoj me njërin prej tyre që shkroi hapur në faqen time pas propozimit për të xhiruar një film ndërkombëtar pêr Skënderbeun. Quhet Fisnik Kurteshi”, shkruan ai.
Debati nuk vjen rastësisht.
Vetëm pak ditë më parë, më 21 gusht, Blushi publikoi një shkrim të gjatë me titull “Pse duhet të bëjmë një film ndërkombëtar për Skënderbeun”, ku argumentonte se Shqipëria ka nevojë ta çojë figurën e heroit kombëtar përtej kufijve të saj dhe ta kthejë atë në një histori të treguar me gjuhën e kinemasë botërore.
Pikënisja e tij ishte efekti që, sipas Blushit, një prodhim i madh ndërkombëtar për “Odisenë” mund të ketë mbi imazhin, turizmin dhe vetëbesimin e Greqisë. Prej këtej ai ngrinte pyetjen: nëse popujt e tjerë i përdorin heronjtë dhe mitet e tyre për t’i treguar botës historinë e tyre, pse Shqipëria të mos bëjë të njëjtën gjë me Skënderbeun?
Por teza e Blushit shkonte përtej një projekti kinematografik.
Për të, një film ndërkombëtar për Skënderbeun do të ishte një investim në kujtesën dhe vetëbesimin kombëtar. Ai argumentonte se shqiptarët kanë pak figura pozitive të përmasave ndërkombëtare të përpunuara nga kultura moderne dhe se kinemaja mund t’i jepte një fytyrë jo vetëm Skënderbeut, por edhe personazheve të tjerë të epokës së tij.
Në vizionin e Blushit, përmes një produksioni të madh do të merrnin jetë Donika Kastrioti, Mamica, Hamza Kastrioti dhe Gjergj Arianiti, duke e kthyer historinë shqiptare në një rrëfim të kuptueshëm edhe për publikun ndërkombëtar.



