4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Gostija me egërsira të grekut në Përmet

    Nga Mitro Çela

    1.

    PËRMET- HANI I COLES

    Disa vite më parë, me Ezmerkën shkuam në Përmët. Një ditë, lamë prapa qytetin dhe morëm rrugën për në Leskovik. Pasi bëmë nja pesë a gjashtë kilometra, u kthyem majtas, drejt lixhave të Langaricës. Me famë shumë, që nga koha e mbretit Zog. Makina ndaloi. Karshi nesh një përrua. Buzë përroit kishte hedhur shtat një pyll shekullor. Nën më të madhin dhe më të lartin rrap, një përmetar babaxhan kishte hapur një restorant.

    Zumë vend në tavolinë. Afrohet e zonja e konakut…Kemi mish nga të egërsirave: Sorkadhe, qafë ariu, dhi e egër! Kemi edhe mish thëllëze dhe qofka! Byrek. Lakror. Turshi. Mishi I sorkadhes u sos! Por kanë mbetur disa lepuj të egjër!…

    Kur lepuri sa një karçin ( kec I rritur) zbukuronte tavën me qepë, hudhra dhe gjethe dafine të “vrara” me verë të kuqe, mua më lindën dyshime.

    Nuk ma do mendja të jetë lepur I egër!

    …Unë dyshoj se janë lepuj të importuar. Po të jenë italianë, I ha. Po të jenë nga të grekut, nuk I ha.

    Enigmën e zgjidhi zonja e bujtinës: “Zoti Mitro! Mos luajte nga fiqiri! Kurrë nuk do të guxoja t’u gostitja me egërsira të grekut! Sa për kulturë, fshatarët e këtyre anëve, tani që është rritur çmimi I naftës, në vend që të punojnë tokën, kapin lepuj. Hanë për vete. Furnizojnë bujtinën tonë.”…

    Nisëm të hamë gjithë lezet, duke I rrëmbyer thelat me dorë, sipas përvojës amerikane. Pimë raki. E kishte zier vetë pronari. Me gotën plot ju drejtova pronarit:

    -E ke pagëzuar lokalin?…

    -Jo?…

    -Pse nuk e quan “Hani I Coles”?…

    Pas ca kohësh, përsëri në Përmet. Tek dera e lokalit ishte shkruar me gërma kapitale: “Hani I Coles”?…Kush nuk beson, le të marri rrugën…

    2.

    POGRADEC- VOLOREK

    Familjarisht vendosëm të shkojmë në Pogradec: Jemi “partizanë” të koranit të “zhuritur” në skarë me qymyr. Zgjodhën Volorekën… Kamarieri mbajti shënim dhe u largua. Ndërsa ai ikte, drejt meje “erdhi” një kujtim.

    Aty rreth viteve ’80-të, shoku Enver lexon një haber: Mbretëresha e Anglisë, çdo vit merrte një arkë me koran nga liqeni I Pogradecit. E hante që t’I shtohej ymri! La librin shoku Enver dhe I thotë Sulos ( Gradecit që ishte krye bodigardi dhe diçka më shumë):

    -Më ka vajtur mendja për një koran! E zëmë dot!”…

    U dha porosia. Drejt liqenit vrapuan peshkatarët. Hidh rrjeta. Nxirr rrjeta…Asnjë koqe korani për be! Vetëm belushka, që janë nga soi I koranëve. Kanë vetëm një dallim: korani ka ca vula të kuqe!… Po dermani?…Thirrën Tason, piktorin më të mirë të Pogradecit. Ai me penel e bëri belushkën koran…dhe ashtu ja poqën dhe e hëngri shoku ynë Enver!…

    Nga kujtimet më nxorri korani që dergjej I pjekur në pjatancë…I zbukuruar për lezet me patate furre, limon. Djath dhie nga Mokrra… Verë e bardhë…Po të ishte Taso, do kishte rrëmbyer penelin. Boshllëkun e plotësoi Marlise, nusja e djalit me origjinë nga Kosta Rika…Shkrepi aparatin…Një foto, si kujtim për tu rikthyer sa më shpejt…

    3.

    GRYKA E KËLCYRËS

    Në këmbë të malit të Trebeshinës, karshi malit Golik, atje ku gjarpëron lumi i Vjosës, në Grykën e Këlcyrës, është një rrip toke. Aty është krijuar një “qytezë” me katër-pesë restorante dhe hotele. Konkurenca u ka dhënë jetë gjëllëve gjithë lezet, që në shekuj kanë gatuar përmetaret.

    Më parë se të shijojmë mishin e pjekur, kukurecin, përsheshin me mish thëllëze dhe likotë me kaçka ( arrë) karpus (sharqi), qërshi, nerënxë a fiq të egër, duhet të tregoj një histori.

    Në shpat të malit, janë Sarajet e Beut. Sot janë të shkretuara. Gërmadha. Dikur: Bukuri dhe mister. Aty banonin stërgjyshët e Ali Bej Këlcyrës. Bejlerët ishin të pangopur. Kishin gjithë fushat, donin edhe livadhin buzë lumit…Një ditë Beu u tha fshtarëve: Hiqni lopët! Aty do të kullosi Pela që e kam sjallë nga Stambolli për për Zonjën time. Por fshati kishte Zot. Kishte kapedanin me belxhik në dorë. Një ditë zbriti nga strofa ku jetonte. Në livadh majën e barit e hante Pela e Zonjës. Kapedani i thotë qehajait:

    “Kape Pelën e Zonjës dhe bjere tek shalët e mija!”… Hop kapërceu Kapedani dhe hipi mbi pelë duke folur: “ Thuaj Beut: Atje ku vendoste Zogun Zonja do të vërë Bilbilin Kapedani!”

    Të nesërmen, nga Sarajet doli një shtëllungë tymi. Pastaj një shpërthim tek shtëpia e Kapedanit. Beu qëllonte me top nga të Turqisë. Por nuk e hante bukën thatë Kapedani! Beu çdo mëngjes pinte kafe në ballkon. Fresk! Poshtë – Vjosa. Përballë -Trebeshina. Parajsë e shkuar parajsës. Rrufiste kafe e kulloste sytë Beu! Karshi Beut, në shpatin tjetër të malit kishte zënë pusi Kapedani. Në duar mbante belxhikun. Mori nishan. Tërhoqi këmzën dhe Beu na la shëndenë!…

    …Rakinë e kemi ballë kazani, -tha pronari… Të merr mëndjen, por nuk të jep dhimbje koke, si rakia e koçimares!…Vera e kuqe ”Meshini”…Ka dalë e plotë, e flamosura vitin që shkoi! Po të shtosh edhe një gotë uji burimi, stomaku punon si sahat “Omega”!

    4.

    VOSKOPOJË

    “Më vjen turp nga shoqet,- nisi monologun zonjëza ime.- Kemi 30 vjet martuar dhe nuk më ke çuar në Voskopojë?!”…U desh kjo frazë për të marrë rrugët… Në të dalë të Korçës, makina mori djathtas. Deri në Voskop, mallkuam qeverinë: Rruga ishte cope – copë. Nuk mbajtëm shumë mëri: Pas Voskopit rruga ishte “alla frënga”…

    Voskpoja shtrihet në një pllajë. Para se njeriu ti vinte tre herë zjarrin, në shekullin e 17 kishte rreth 30 mijë banorë. Degëzim I rrugës Egnatia, lehtësonte rrugëtimin e karvaneve. Qyteti kishte një Akademi, nga të rrallat në atë epokë në Ballkan. Një duzinë me kisha…

    …Vendosëm të ndezim një qiri në kishën e Shën Kollit. Nga jashtë e vogël. Brenda madhështore. Po të ishte e madhe nga jashtë, në kohën e Turqisë, paguheshin më shumë taksa. Afreske të mrekullushme. Në hajatin jashtë, ishte peneli I vëllezërve Zografi. Brenda kishte pikturuar Selenica, pasardhësi I Onufrit.

    U futëm mes pyllit me pisha. Ndaluam në ish kampin e puntorëve. Sot quhet Akademia…I ndërtuar në një lëndinë, me disa komplekse, mbase është nga gjërtat më të bukura në Shqipëri…”Unë vdes për gjellë fshati,- tha zonjëza ime?!” Larg qoftë,- ju përgjigja unë! Kush I futet telasheve për të gjetur një nuse të re. Pa thënë, që është problem në moshën time, të kaloj natët e dimërit në shtrat, më një çupëzë të njomë?!…

    Për të shpëtuar nga kjo fatkeqësi porositëm: Byrek me dy petë të pjekur në saç. Nikoqirja e kishte bërë dy soje. Një me domate e qepë. Tjetri me gjizë…Mishi I qingjit I pjekur në hell, I përzier me raki kumbull, shto ajrin e pastër dhe ujët si kristal, e bëri zonjën time ti binte vilani nga lezeti!

    Kur erdhi koha e kafes turke, në tavolinë arriti Luan Nepravishta, një miku im I lashtë. Po ti nga mbive? Të solli gruaja?…Kam dhjetë vjet që jetoj në Voskopojë? Mos zgurdullo sytë, sikur të ka dalë qoftëlargu para sysh! Dëgjomë dhe gjykomë….

    Ditën që mori librezën e pensionit, rrëmbeu gruan dhe gjesdisën nëpër Shqipëri. Kërkonin një vend për të jetuar në pleqëri. Në fillim në Borsh. Pastaj në Pogradec…Zgjodhën Voskopojën. Blenë një shtëpi të vjetër. E riparuan…Vitet e para hoqën të “zijtë e ullirit”. Më shumë pa drita se me drita. Rruga: skëterrë. Pa celular…Tani gjërat kanë ndryshuar. Janë disa çifte të ardhur nga qyteti, që jetojnë në Voskopojë. Ka edhe vendas…

    Zonjën e gjetëm duke bërë zahire. Peta. Trahan. Pastërma. Turshi. Kumbulla të thata. Liko. Dhjathë…Voskopoja, thotë Luani është parajsë për lulet…Unë pëlqej dimrin. Me cifte dal për gjah! Nuk më del dita…Kur ai fliste, mu duk si një Robison Kruzo I ditëve tona…

    -Blejmë edhe ne një shtëpi në Voskopojë? I thashë zonjëzës, ndërsa makina mori të tatëpjetën…

    -Ke luajtur nga fiqiri? Të ndahem nga shoqet?…Ku t’I gjejmë kafet e bllokut? Po “Maks Mara” mund të hiqet qafe?…Jo dhe jo.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit