9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ndryshimet në Qeveri duken të pashmangshme, çështja është kur dhe sa ministra preken

    Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të hënë grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në një kohë që sa vijnë e shtohen zërat për ndryshime në kabinetin qeverisës.

    Ndryshimet duken të pashmangshme dhe të vetmet dilema janë dy; koha kur do të komunikohen dhe emrat që do të përfshihen.

    Për kohën, nuk përjashtohet që Rama të njoftojë ndryshimet në kabinet që brenda kësaj jave, por ka edhe një mundësi që ato të shtyhen për t’u njoftuar në mbledhjen e Kongresit të jashtëzakonshëm të socialistëve, që mbahet më 9 prill.

    Sa u takon emrave që rrezikojnë, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe ajo e Financave, Delina Ibrahimaj duket më të kërcënuarit, të paktën për momentin. Dy ministret janë vënë në qendër të kritikave për disa deklarata që kanë bërë në lidhje me krizën e çmimeve.

    Deklaratat, nisur nga reagimi i një pjese të publikut janë një kosto shtesë për qeverinë dhe Edi Ramën, prandaj edhe zërat e përforcuara për ndryshime në kabinet u paraprijnë thirrjeve të shoqërisë civile për të dalë sërish në protestë ditën e martë, pas rritjes së çmimit të naftës në 245 lek për litër.

    Megjithatë, ndryshimet mund të shkojnë edhe me thellë, ndoshta edhe t’u përafrohen atyre të dhjetorit të 2018-s, kur Edi Rama largoi nga kabineti 7 ministra pak më shumë se një vit pasi kishte marrë mandatin e dytë.

    Kriza e çmimeve është njëri faktor që po shtyn Ramën drejt riformatimit të kabinetit, por ai nuk është faktori i vetëm dhe për më tepër nuk është ai që inicioi idenë e ndryshimeve. Faktori tjetër është çështja e inceneratorëve dhe në këtë çështje nën akuzë nga Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur me kërkesë të opozitës, përveç vetë Edi Ramës, kanë qenë edhe emra me peshë në kabinet.

    Ndryshimet e 2018-s u ndërmorën edhe nën presionin e valës së protestave të studentëve kundër tarifave në arsim dhe ndryshimet e kësaj here mund të kushtëzohen gjithashtu nga protestat e shoqërisë civile kundër rritjes së çmimeve dhe shijes së keqe që la në opinion teatri publik me çështjen e incerenatorëve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit